Me kallashnikov gjuan në autostradë
Policia e Kurbinit njofton se ka identifikuar dhe shpallur në kërkim 21-vjeçarin që qëlloi me kallashnikov në ajër nga automjeti në ecje, gjatë një ceremonie dasme, duke rrezikuar jetën e qytetarëve, dhe më pas e postoi videon në rrjetet sociale.
Gjithashtu, procedohet penalisht dhe kushëriri i tij, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.
Njoftimi i policisë:
Gjendet dhe sekuestrohet në cilësinë e provës materiale dhe arma e zjarrit automatik me të cilën dyshohet të jetë qëlluar.
Nga veprimet hetimore rezultoi së shtetasi Klajdi Tafaj ka qëlluar me armë zjarri nga automjeti, në ceremoninë e dasmës së kushëririt të tij, shtetasit M. T., më datën 15.08.2021 dhe pas disa ditësh e ka postuar videon në rrjetet sociale.
Gjithashtu, është proceduar penalisht shtetasi M. T., 30 vjeç, banues në Fushë Gjormë, Kurbin, kushëriri i autorit të dyshuar, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.
Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit Klajdi Tafaj, kanë gjetur dhe sekuestruar armën e zjarrit kallashnikov me krehër me fishekë, me të cilën dyshohet të jetë qëlluar.
Materialet hetimore u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Kurbin, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Mbajtja pa leje e armëve të zjarrit dhe municionit luftarak”, “Prishja e rendit dhe qetësisë publike” dhe “Moskallëzimi i krimit”.
Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë fton qytetarët që të denoncojnë çdo rast të paligjshmërisë në Komisariatin Dixhital apo në numrin pa pagesë 112, duke u siguruar reagim të shpejtë e të paanshëm, kundrejt atyre që shkelin ligjin dhe cenojnë jetën e qytetarëve.