‘Me kend fola’, libër i mbushur me emocion të fortë dhe me mendim të kulluar
Një zë i veçantë poetik, i shfaqur dhe i forcuar ndër vite në Perëndim, është ky i Drita Ademit. Përvojën poetike dhe veçantitë poetike, me kalimin e viteve dhe me botimin e librave të rinj, ajo po ua lë trashëgim pasardhësve, krijuesve dhe studiuesve. Sinonimi i emrit të saj shtrihet në gjithë librin e ri të saj Me kend fola. Nuk i duhet një shenjë pikësimi e pikëpyetjes kësaj fjalie. Ajo flet me ata që e lexojnë, me ata që e duan poezinë, me ata që emocionin dhe mendimin i kanë në një linjë. Ky nuk është një libër i madh dhe i trashë. Është një libër i formatit të zakonshëm, por është e pazakonshme përmbajtja e tij, sepse është unike. Drita, nëpërmjet reflektimeve, mendimeve, ndjenjave, peripecive të ndryshme të jetës së vet, lirikshëm na flet për hapësirën e mendimit dhe të veprimit. Sa e shohim në Perëndim, sa e shohim në vendlindje; sa e shohim të rënduar emocionalisht, sa e shohim të ngazëllyer. Kur është atje, nëpërmjet poezive të mallit, i kujton miqtë dhe poetët më të mirë. Vetminë e mbyt duke shpalosur kujtime nga jeta e vet dhe e tyre. Bashkëbisedon me vetveten dhe, nëpërmjet poezisë, edhe me të tjerët, prandaj qëllimisht i ka vënë titullin Me kend fola. Foli me mua, foli me ty, foli me atë, foli me ata, foli me ato që, nëse nuk mendojnë dhe ndiejnë sikurse Drita hëpërhë, do të mendojnë dhe ndiejnë në një tjetër kohë, kur dhembja dhe dhimbja t’u bëhet e përbashkët, kur ajo që u mungon do të jetë e gjithëpranishme në mendjen dhe zemrën e tyre. Me kend fola është libër i mbushur me emocion të fortë dhe me mendim të kulluar. Gjuha, e variantit gegë, jo e gjitha në standard, me disa veçori të idiolektit të saj, siç zura ngoje në fjalinë e parë, e bëjnë këtë libër të veçantë sepse, përpos që veçojmë fjalorin dhe gramatikën e saj, veçantinë e dallojmë edhe nëpërmjet shqiptimit të fjalëve e fjalive. Mbase, më shumë sesa për temat që ka trajtuar, veçantia më e madhe e Dritës është idiolekti i saj i shprehur në secilën poezi e që është i dallueshëm nga karakteristikat gjuhësore të poeteve të tjera shqiptare. Autorja, nëpërmjet kësaj shprehie të veçantë gjuhësore, së këndejmi edhe nëpërmjet zbutjes së dhembjes personale dhe kolektive me artin e fjalës (poezinë), bën dallimin individual poetik nga kolektivja. Më bëhet shumë qejfi që, edhe pse në mesmoshë, Drita Ademi nuk përsërit asnjë krijues dhe krijuese të re e të moshës së vet, por shfaqet, si asnjë tjetër, me elemente të papërsëritshme gjuhësore dhe tematike në letërsinë shqipe, shpeshherë me shprehje antologjike.
Flamur Maloku,
poet dhe studiues