Me Kodin e ri të Procedurës Penale zyrtarët me aktakuzë s’do të kenë vend në institucione
Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka bërë me dije se pas nëntë muajve punë të grupeve punuese dhe ekspertëve ndërkombëtarë, Kodi i ri i Procedurës Penale do të dërgohet në Kuvend gjatë muajit nëntor.
Ai ka thënë se ndryshimi kryesor është pezullimi i zyrtarëve që kanë aktakuzë. Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Tahiri ka thënë se qëllimi i këtij propozimi është që nëpërmjet suspendimit të këtyre zyrtarëve të parandalohet keqpërdorimi i mëtejshëm i autoritetit dhe mos t’u lihet mundësia të ndikohet në prova, element ky kyç për të siguruar ndjekje penale të suksesshme.
Ai është shprehur i bindur se do ta gjejë mbështetjen e nevojshme nga shumica e grupeve parlamentare të Kuvendit të Kosovës për aprovimin e këtij kodi.
“Tekefundit, këto janë interesa të shtetit dhe të shoqërisë, si dhe obligime që Kosova ka marrë përballë MSA-së, Agjendës së Reformave Evropiane dhe procesit integrues”, ka deklaruar Tahiri
“Epoka e re”: Ministër Tahiri, ju keni deklaruar që ndër prioritet tuaja në vitin 2018 është rishikimi i Kodit të Procedurës Penale. A mund të na tregoni nëse është duku u punuar në këtë proces?
Tahiri: Është e vërtetë që këtë vit kemi pasur një dinamikë jashtëzakonisht të madhe për sa i përket propozimit dhe hartimit të politikave ligjore të fushës së drejtësisë. Si ministri prijmë në nivel të Qeverisë në aspektin e përgatitjes dhe miratimit të projektligjeve. Megjithatë, përtej realizimit të zakonshëm të agjendës apo programit qeveritar, nën reflektimin e nevojës që politikat penale të rishikohen për t’i adresuar sfidat e ndryshme të identifikuara nga procesi i zbatimit të ligjeve në fuqi, pas hartimit të Kodit të ri Penal dhe dy pakove të rëndësishme ligjore, prej gati nëntë muajsh jemi duke punuar në rishikimin e Kodit të Procedurës Penale. Gjatë muajit nëntor do të finalizohet dhe i njëjti do të dërgohet në procedura të rregullta të konsultimeve.
“Epoka e re”: Deri në çfarë mase ka shkuar rishikimi i këtij Kodi?
Tahiri: Grupet punuese kanë mbajtur takime të vazhdueshme dhe, çfarë është më e rëndësishmja, rezultatet nuk kanë munguar. Janë dhënë propozime për plotësimin dhe ndryshimin e neneve të Kodit aktual të Procedurës Penale, ku prej 547 neneve sa ka gjithsejtë ky Kod, janë bërë ndërhyrje, përkatësisht propozime për amendamentimin e mbi 220 neneve, propozime këto për të cilat është diskutuar në grupin e madh punues, i cili ka vendosur për këto propozime. Në takimet e nëngrupeve punuese, përveç propozimeve për plotësimndryshim të neneve ekzistuese të cilat kanë paraqitur probleme në zbatim, ka pasur propozime edhe për inkorporimin e neneve të reja lidhur me çështjet të cilat kanë rezultuar si të nevojshme nga aktorët relevantë të praktikës gjyqësore. Po ashtu, janë dhënë propozime nga përfaqësuesit ndërkombëtarë lidhur me harmonizimin e Kodit të Procedurës Penale me praktikat më të mira të vendeve të BE-së të cilat pritet që të përfshihen me dispozita më të qarta për sa iu përket çështjeve procedurale – penale në raport me harmonizimin e të drejtës së BE-së duke bërë që ky kod të jetë më efikas dhe më përmbajtjesor rreth dukurive negative në sistemin e drejtësisë penale.
“Epoka e re”: Cilat janë disa prej çështjeve më të rëndësishme që janë trajtuar dhe janë ndryshuar?
Tahiri: Çështjet kryesore të plotësuara dhe ndryshuara janë: 1. Heqja e dëgjimit të dytë. Është propozuar që të fshihet seanca e dytë, me arsyetimin se në praktikë asnjë seancë e dytë nuk është duke u mbajtur. Të gjitha kërkesat për hedhjen poshtë të aktakuzës dhe kundërshtimet ndaj provave bëhen me shkrim. Gjyqtari i vetëm gjykues ose kryetari i trupit gjykues lëshon një vendim me shkrim për të vendosur mbi kërkesat e tilla. Ky ndryshim është bërë në mënyrë që të thjeshtësohet faza e aktakuzës. 2. Afati i hetimeve është zgjatur. Periudha kohore e hetimit në parim është dy vjet, por mund të zgjatet nga gjyqtari i procedurës paraprake çdo gjashtë muaj për një periudhë maksimale prej dy vjetësh. Pra, koha e hetimit mund të zgjatet deri në një maksimum të mundshëm prej katër vjetësh nën disa rrethana specifike. Ky ndryshim është bërë për shkak se afati aktual për hetim konsiderohet të jetë një afat shumë i shkurtër, veçanërisht për veprat penale që kanë të bëjnë me krimin e organizuar dhe korrupsionin. Ky ndryshim i jep më shumë fleksibilitet sistemit kur është e nevojshme. Gjyqtari i procedurës paraprake do të kishte diskrecionin për ta miratuar zgjatjen e hetimeve çdo gjashtë muaj, deri në një total prej katër vjetësh. 3. Janë bërë ndryshime që lidhen drejtpërdrejt me procedurat e konfiskimit. Janë ndryshuar të gjitha dispozitat në lidhje me konfiskimin sepse ka pasur ankesa se procedurat aktuale të konfiskimit janë shumë të komplikuara dhe zbatuesit kanë hasur shumë vështirësi në zbatimin e tyre. Nenet e ndryshuara janë në pajtim me Projektligjin për kompetencat e zgjeruara për konfiskimin e pasurisë. 4. Shtimi i dispozitave të reja lidhur me pezullimin e zyrtarëve të lartë publikë për të cilët është shpallur aktgjykim dënues lidhur me veprat penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare dhe korrupsionit. Qëllimi i këtij propozimi është që përmes suspendimit të këtyre zyrtarëve të parandalohet keqpërdorimi i mëtejshëm i autoritetit dhe mos t’u lihet mundësia të ndikohet në prova, element ky kyç për të siguruar ndjekje penale të suksesshme. Nenet e propozuara vlejnë për të gjithë personat zyrtarë të akuzuar për veprat penale të korrupsionit, duke mundësuar kështu trajtimin dhe qasjen uniforme ndaj tyre pa marrë parasysh funksionin ose detyrat që mund të ushtrojnë. 5. Është shtuar nen i ri lidhur me gjykimin në mungesë i cili përcakton se nëse i pandehuri i cili vullnetarisht dështon të paraqitet në seancë gjyqësore pasi të jetë informuar për datën, nuk duhet të lejohet ta vonojë procedurën. Në ato raste kur prokurori nuk mund të gjejë një të pandehur pas përpjekjeve të arsyeshme, gjykimi duhet të jetë në gjendje të mbahet sipas rrethanave të propozuara në këtë nen. Propozimi ka ardhur për shkak se ka shumë raste kur ka pasur vështirësi për sigurimin e pranisë së të pandehurit në procedurë, me ç’rast të pandehurit i janë shmangur drejtësisë e sidomos për krimet më të rënda siç janë krimet e luftës. Përveç kësaj, mungesa e të pandehurit në gjykim ka shkaktuar edhe shpenzime të mëdha si dhe ka rezultuar pa një vendim final nga ana e gjykatës. Ky rregullim ekziston në disa prej vendeve të regjionit. Gjykimi në mungesë është evituar në Kosovë si arsyetim i mbrojtjes së të drejtave të njeriut, sepse është konsideruar se gjykimi në mungesë është shkelje e të drejtave të njeriut. Sidoqoftë, bazuar në standardet dhe direktivat e BE-së, instituti i gjykimit në mungesë nuk është shkelje e të drejtave të njeriut nëse plotësohen disa kushte dhe kritere. Gjithashtu, ky propozim për gjykimin në mungesë është në harmoni me Direktivën e BE-së 2016/343 e Parlamentit dhe Këshillit Evropian e 9 marsit 2016 mbi forcimin e disa aspekteve të prezumimit të pafajësisë dhe të drejtës për të qenë i pranishëm në procesin gjyqësor përveç veprave penale të cilat nuk parashkruhen. 6. Janë plotësuar masat për ta lehtësuar marrjen në pyetje të dëshmitarëve ose të viktimave në lidhje me peshën e veprës penale (harmonizimi me direktivat e BE-së). 7. Janë bërë plotësime në dispozitat lidhur me të drejtat e viktimave apo palëve të dëmtuara. Ndryshimet e këtyre neneve i japin më shumë të drejta palës së dëmtuar apo viktimës, siç është e drejta për të marrë informata në lidhje me veprën penale, të drejtën për të marrë informata për ofrimin e ndihmës mjekësore, përkrahjes psikologjike, strehimit alternativ dhe të drejtave të tjera që lidhen me interesin e tyre juridik. 8. Gjithashtu është shtuar një nen i ri, që lidhet me seancën për caktimin e dënimit pas pranimit të fajësisë apo aktgjykimit fajësues. Qëllimi i një dispozite të tillë është ta lejojë zbatimin e udhëzuesit të dënimeve dhe t’u mundësojnë palëve që t’i argumentojnë rrethanat lehtësuese dhe rënduese në një seancë të veçantë. Ka pasur shqetësime se mbrojtja nuk argumenton rrethanat lehtësuese në fjalën përfundimtare kur i pandehuri nuk e pranon fajin për shkak se ata frikësohen se diçka e tillë mund të nënkuptohet si pranim i fajësisë. Prandaj, mundësimi i një seance dëgjimore, pasi personi është shpallur fajtor, ua jep mundësinë të dyja palëve t’i bëjnë argumentet e tyre lidhur me rrethanat lehtësuese dhe rënduese. 9. Janë bërë edhe ndryshime në kapitullin e masave të fshehta. Pothuajse i gjithë kapitulli i masave të fshehta është ndryshuar sepse nenet aktuale kanë paraqitur vështirësi në aspektin e zbatimit praktik për shkak të mungesës së qartësisë dhe mospërputhjeve ndërmjet neneve. Ndryshimet e reja lejojnë më shumë fleksibilitet për prokurorin që t’i zbatojë këto masa. Masat të cilat e shkelin seriozisht privatësinë e personit lëshohen nga gjykata, ndërsa masat e tjera lëshohen nga prokurori. 10. Janë rishikuar edhe nenet për marrëveshjen për pranimin e fajësisë dhe dëshmitarët bashkëpunues. Ndryshimet e reja në këto nene i japin më shumë fleksibilitet prokurorit për t’i zbatuar marrëveshjet për pranimin e fajësisë. Sipas këtyre ndryshimeve, procedura për marrëveshjet për pranim të fajësisë dhe dëshmitarëve bashkëpunues është shumë më e thjeshtë dhe më e lehtë për t’u zbatuar në praktikë dhe me shpresë do ta inkurajojë zbatimin e nenit lidhur me dëshmitarët bashkëpunues për të zhvilluar prova në rastet e krimit të organizuar dhe korrupsionit.
“Epoka e re”: Si ministri dhe sponsorues i këtij Kodi, a keni hasur në pajtueshmëri me të gjitha propozimet e bëra nga këto grupe punese, kur dihet se përbërja e grupeve punuese është shumëpalëshe?
Tahiri: Përballë qëndrimeve dhe propozimeve të ndryshme, në disa raste edhe të kundërta për disa çështje, nuk mund të vihet në pyetje qëllimi dhe vullneti ynë si sponsores, por edhe i ekspertëve dhe institucioneve të tjera të përfshira. Sigurisht se ka pasur debate e diskutime të ndryshme dhe interesante. Për shembull, disa prej çështjeve të cilat kanë qenë, po themi kontestuese, e të cilat do të vendosen mbi bazën e shumësisë së argumenteve, janë: E para, çështja e publicitetit të aktakuzave, pastaj çështja e kufizimeve të provave, apo për kushtet për revokimin e dënimeve alternative. Pastaj është diskutuar edhe për mundësinë e rikthimit të Policisë Gjyqësore, po ashtu edhe për mjetet juridike dhe disa aspekte të tjera të cilat ditët në vijim do të vendosen përfundimisht.
“Epoka e re”: Z. Tahiri, për të gjitha këto propozime dhe ndryshime që janë bërë, a prisni mbështetje edhe në Kuvendin e Kosovës?
Tahiri: Detyrë imja është që kjo punë serioze që kemi bërë dhe është duke u vazhduar të kanalizohet si një kontribut për avancimin e sistemit të drejtësisë. Jam i prirë të besoj se reformat e tilla do ta gjejnë mbështetjen e nevojshme nga shumica e grupeve parlamentare të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Tekefundit, këto janë interesa të shtetit dhe të shoqërisë si dhe obligime që vendi ynë i ka marrë përballë MSA-së, Agjendës së Reformave Evropiane dhe procesit integrues.
“Epoka e re”: Cilat janë pritjet tuaja nga ky projektkod?
Tahiri: Jam optimist dhe mirëpres rezultatet e mira, sepse përmes miratimit të projektkodit të Procedurës Penale dukshëm pritet të rritet efikasiteti dhe transparenca si dy sfida kryesore të sistemit të drejtësisë, si dhe do të ndikojë në qasjen më të mirë në drejtësi dhe ngritjen e besimit të qytetarëve në sistemin gjyqësor dhe sektorin e drejtësisë në përgjithësi, përfshirë krijim të kushteve për luftim më të mirë të korrupsionit përmes rishikimit të proceduarave që zbatojnë organet e drejtësisë.
Shqipe HETEMI