ME LIBËR NËPËR BOTË
SLLAVKO PREGL
ME LIBËR NËPËR BOTË
Në Moskë kam udhëtuar shumë herë. Mu desh kohë e gjatë të pajtohem me procedurat që e rregullonin atje jetën e zakonshme dhe afariste. Edhe përkundër kësaj, herë pas here befasohesha, zakonisht atëherë kur mendoja se po e kuptoja se si zhvilloheshin gjërat.
Në aeroportin e Beogradit e takova ambasadorin tonë të atëhershëm në Vjenë, Jozhe Smolenë. Rastësisht ndenjëm njëri pranë tjetrit në aeroplan. JAT-i, si zakonisht, vononte. Në vend se të arrinim herët në mbrëmje, në Moskë arritëm në orën një të mëngjesit. Rrugës me Smolenë biseduam pak, e pastaj secili u zhyt në leximin e vet. Smole e lexonte Pushkinin në origjinal. Gjatë aterrimit më pyeti nëse më nevojitet transporti deri në qytet, nëse e kam të rregulluar çështjen e hotelit, nëse më nevojitet gjë… Shpejtoja të mohoja se gjithçka e kam të rregulluar dhe se nuk më nevojitet ndihma e ambasadorit.
Në aeroportin e Moskës nuk më priste askush, pasi kishim vonuar shumë. Autobus për në qytet nuk kishte. As taksi. Në Lublanë, në fund të marsit, është pranverë e vërtetë. Disa ditë ishte diku rreth njëzet gradë celsius. Me veshje që i përgjigjej asaj kohe erdha në Moskë. Këtu ishte minus dhjetë dhe binte borë. Me valixhe të rëndë dhe i ngarkuar me boca të shtypit provë, me makete dhe libra në borë para aeroportit e vëzhgoja qiellin si bredh i vitit të ri i harruar prej të gjithëve dhe kërcitja me dhëmbë. E vërejta se në kamion në parking shoferi po ndezte cigaren. Me këpucë të cekëta e shkela trimërisht borën. Me shoferin e kamionit u gjuajta për çmimin deri në qytet. Pranë hotelit Beograd më pyeti: “‘Beograd’ një, apo ‘Beograd’ dy?”
As që e kisha idenë. Në teleks shkruante se e kisha të rezervuar dhomën në hotel Beograd. Rrudha krahët, e shoferi më zbriti para Beograd njëshit. Portieri e hapi derën dhe më tërë rraqet erdha deri te recepcioni. Ia thashë emrin, mbiemrin, prej kah jam dhe kush e ka rezervuar dhomën. Recepsionistja shfletoi librin dhe tha: “Njet!”. Më tha të shkoj përtej rrugës në hotelin “Beograd” dy, ndoshta e kam rezervimin atje. U shkarkova i tëri nëpër borë përkrye rrugës së gjerë. Portieri e hapi derën dhe u shtyra deri te recepsionistja: emri, mbiemri, prej kah, kush e ka rezervuar… E shikoi librin dhe tha: “Njet!”
Si “Njet”, – i thashë, unë e kam rezervimin. Ndoshta, por jo te ne, – më tha. Mirë, – këmbëngula, ma jepni një dhomë, nesër do ta rregulloj. Kjo nuk është e mundur, – tha, së pari nuk kemi dhoma të lira, së dyti, ti je privat, pa kurrfarë letrash dhe, së treti, sikur të kishe ardhur përpara do të të fusja te ndokush që është në dhomë dyshtretërish, e kështu nuk mundem. Të shkoj bukur mbrapa në Beograd një, atje zakonisht kanë dhoma. Si të shkoj mbrapa, kur teksa erdha prej andej? Pastaj më ra ndërmend zgjidhja: “E ç’të bëj, që të mos jam më privat?”
Ta fitoj rezervimin, p.sh., nga ambasada ime. Ma dha me dashamirësi numrin e ambasadës sime dhe në mes të natës e zgjova portierin. Aspak nuk u hidhërua kur ia shpjegova për çfarë bëhet fjalë. Më tha të vijë atje. Dukej se ishte mësuar me raste të tilla.
I bashkova valixhet dhe provova ta ftoj taksin para hotelit. Ishin grumbull, por djemtë luanin letra. Pastaj pyetën në mos kam cigare apo sakëz. Asgjë nuk kisha. Njëri që e kreu lojën u zbut më në fund, pasi i premtova se do t’ia paguaj dyfishin e taksimetrit. Kur mbërritën te ambasada, e pagova dhe ia premtova çmimin e dyfishtë nëse më vozit tutje. Portieri më regjistroi në libër dhe ma shënoi rezervimin.
“Në cilin hotel e fitova dhomën tani?”, – pyeta.
“Sigurisht në hotelin Kievksij”, – tha portieri.
E falënderova dhe hipa në taksi.
Kijevskij, thashë.
Arritëm. Taksistit ia pagova çmimin e dyfishtë dhe u zvarrita deri te dera e hotelit. E shtypa zilen. Pas
një kohe portieri e hapi. I lehtësuar i ula valixhet në tokë, e recepsionistes ia shtyra letrën nga ambasada.
“Njet”, – tha, “nuk është në rregull”.
“E si nuk është në rregull?”, – pyeta. “Më thanë se do ta fitoj dhomën në Kijevskij”.
“Ndoshta!”, tha ajo. “Me këtë letër duhet të shkoni në Drejtorinë Qendrore të Hoteleve të Moskës dhe atje do t’jua përcaktojnë vendin. Ndoshta te ne!”
Ora ishte dy e natës. U ngarkova sërish dhe u zvarrita jashtë. Në stacionin e afërt të hekurudhës nëntokësore, që nuk voziste më nga mesnata, djemtë luanin letra. Acari shponte deri në asht.
“Djema!”, – thirra me guxim, “kush do të më vozitë deri te Drejtoria Qendrore e Hoteleve të Moskës?”
Më shikuan dhe vazhduan lojën.
“Djema!”, – e zbuta të folurit, “deri te Drejtoria e Hoteleve. Kush do të vozitë? Kam para”.
U trimërua një nga shoferët praktikantë, që i ishte mbështetur dikujt mbi supe dhe e përcillte lojën.
“Unë do të vozis”, – pohoi.
U nisëm. Ramë kryq e tërthorë nja një gjysmë ore, e në fund e zbulova se djaloshi nuk dinte kah të voziste. Herë në zë e herë me zë të vogël ia tregoja rrugën dhe numrin dhe, pas një kohe të gjatë, e gjetëm një shtëpi jo të dukshme në një rrugë kote. I rashë ziles. Pas pak dëgjova rrapëllimën në derë. U hap një vrimë e ngushtë. Pa fjalë ia dhashë letrën.
“Mirë”, – tha gruaja, e mori dhe e mbylli vrimën. Pas nja dhjetë minutash vrima u hap përsëri.
“Gjithçka në rregull. Ejani në mëngjes rreth orës tetë”.
“Si në mëngjes?!”, – klitha. “E ku të shkoj deri atëherë?”
“Nuk e di”, – tha gruaja dhe e mbylli vrimën.
Ora ishte tre e mëngjesit. Mu duk se fillova të bija valë. Kjo ishte gjë e mirë, përndryshe do të mërdhihesha.
“Në hotel ‘Beograd’ një”, – i thashë.
Mbërrimë. E pagova taksistin, mora valixhet, e shtyra portierin dhe egërsisht u drejtova kah recepcioni.
“Jugosllav, po?”, së largu thirri recepsionistja.
“Po!”, – desha të klith, por më ndërpreu.
“Gjithçka në rregull”, – cicëroi, “te ne e keni dhomën”.
Në librin e rezervimeve e kishte të shënuar: Prill Sllavko, Mladinska knjiga, Jugosllavi, e unë në takimin e parë i thashë Pregl Sllavko, Mladinska knjiga, Jugosllavi. Pra, nuk isha i regjistruar.
Ia dhashë pasaportën. Femra filloi të shkruajë diçka, por u ngri.
“Ndalni!”, – tha. “Këtu shkruan se do të vini më njëzet, e sot jemi më njëzetenjë. Ç’është kjo tani?”
I thashë se do të arrija më njëzet sikur të mos kishte vonuar aeroplani dhe sikur të mos më kishte përcjellë ajo të shëtis nëpër Moskë nja dy orë. Ma dha letrën dhe më tha se çelësin do ta lë te kujdestari i katit tim. Kujdestarja, si të gjithë njerëzit e ndershëm, flinte pas tryezës së vet. E zgjova.
“O, Zot!”, – shfryri tërë duf, “a vihet tani në hotel?!”
Tani e kisha unë rendin t’i dërgoj në harresë të gjitha mendimet e bukura që m’i kanë mësuar prindërit, mësuesit dhe të gjithë njerëzit e mirë. Fillova të gërvallem, se e di fort mirë se kur duhet të vij në hotel. Kujdestarja e hetoi se e kishte para vetes njeriun që ishte munduar shumë, për atë filloi të më zbutë, duke më thënë të shkoj në dhomë për të pushuar. Nesër do të jetë gjithçka ndryshe.
Ma dha çelësin.
Të nesërmen u zgjova i gëzuar. Në mëngjes i thashë vetes, sa i poshtër që jam. Për shkak të pakujdesisë sime, që nuk e dita se në ç’hotel të shkoj, mbrëmë i qita aq telashe një numri të mirë të punëtorëve të ndershëm. Tregimin e shkrova si vërejtje atyre njerëzve të pakujdesshëm dhe të hutuar, në rast se duan ndonjëherë të hyjnë në ndonjë shtet të organizuar.
SLLAVKO PREGL
Sllavko Pregll (Slavko Pregl), shkrimtar slloven, botues dhe redaktor, u lind më 9 shtator 1945 në Lubjanë. Punë gazetareske dhe shkrime filloi të shkruaj që në gjimnaz, kur ishte redaktor i revistës shkollore Utripi (Pulset). Botoi fillimisht në revista dhe gazeta. Diplomoi në Fakultetin Ekonomik. Punoi redaktor në Sh. B. Mladinska knjiga në vitet 1969-1991, pastaj botues i pavarur e, më vonë, kishte statusin e të vetëpunësuarit në kulturë.
Në vitet 2004-2008 ishte kryetar i Shoqatës Bralna znacka (Medalja e leximit), më vonë nënkryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve Sllovenë, më 2009 zgjedhet drejtor i Agjencisë Publike të Librit.
Lista e librave (kryesisht romaneve të tij për fëmijë dhe të rritur) kalon numrin 40 dhe janë të përkthyer në më se 15 gjuhë botërore.
Lexuesi shqiptar e njeh me romanin Gjenitë pa brekë (Geniji brez hlaç) botuar nga Sh. B. Uegen, Tiranë (2013), e përkthyer nga Nikollë Berishaj. Për këtë roman ai u laureua me çmimin për librin më të mirë slloven për nxënës të rritur (Rastem s knjigo) në vitin 2010. Për veprimtarinë e vet letrare është shpërblyer me çmimet më të larta sllovene, por edhe rajonale e më gjerë (rreth 15 çmime). Jeton dhe vepron në Lubjanë.
(Përktheu nga sllovenishtja: Nikollë Berishaj. Marrë nga numri i parë i revistës “Akademia”)