Me ligjin e ri, të burgosurit do t’i kenë 14 ditë pushim vjetor
Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit, ka mbajtur mbledhjen e radhës të hënën.
Në këtë mbledhje, komisioni pas shqyrtimit, e ka miratuar në parim Projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë për ndihmë të ndërsjellë juridike në çështjet civile dhe tregtare; Projektligjin për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale; Projektligjin për Shërbimin Korrektues të Kosovës dhe Projektligjin për Shërbimin Sprovues të Kosovës.
Paraprakisht, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e ka prezantuar dhe arsyetuar Projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë për ndihmë të ndërsjellë juridike në çështjet civile dhe tregtare.
Ajo ka thënë se qëllimi i kësaj marrëveshje është forcimi i bashkëpunimit në fushën e ndihmës juridike, në çështjet civile dhe tregtare, si dhe lehtësimi i procedurës ligjore.
Ministrja Haxhiu ka thënë se kjo marrëveshje do të zbatohet për çështjet që përfshinë procedurat lidhur me gjendjen civile, çështjet familjare, marrëdhëniet e punës, çështjet të pronësisë, si dhe marrëdhëniet tjera civile dhe tregtare të personave fizik dhe juridik.
Po ashtu, ministrja Haxhiu e ka prezantuar edhe arsyetuar edhe Projektligjin për ekzekutimin e sanksioneve penale.
Ajo, ndër tjera ka thënë se bazuar nga ankesat e shumta të të burgosurve, me këtë projektligj, është paraparë që vendimet e panelit për lirim me kusht të ankimohen, dhe më pas të shqyrtohen nga një trup gjykues prej tre gjyqtarëve të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës.
Me këtë projektligj, Haxhiu ka theksuar se të burgosurit do t’i kenë 14 ditë pushim vjetor, pra shtatë më shumë, plus shtatë të tjera në raste të jashtëzakonshme.
Në vazhdim, Haxhiu, gjatë prezantimit edhe arsyetimit të Projektligjit për Shërbimin Korrektues të Kosovës, ka thënë se për herë të parë ky shërbim do të përfshihet me një ligj të veçantë, si një agjenci ekzekutive në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë. “Do të krijohen dy njësi të veçanta në kuadër të Shërbimit Korrektues të Kosovës, Njësia për vlerësim dhe klasifikim dhe Njësia e inteligjencës”, ka theksuar ajo.
Haxhiu, po ashtu ka bërë me dije se është paraparë edhe ofrimi i kujdesit shëndetësor për pjesëtarët e shërbimit korrektues, gradimi, kompensimi për rrezikshmëri në punë, shujta ditore, si dhe pagat jubilare.
Gjatë prezantimit dhe arsyetimit të Projektligjit për Shërbimin Sprovues të Kosovës, ministrja Haxhiu, ka thënë se edhe ky institucion për herë të parë do të trajtohet me ligj të veçantë, me qëllim të avancimit të shërbimeve profesionale ndaj personave të dënuar, por që janë nën mbikëqyrje, si dhe me qëllim të ngritjes së kapaciteteve funksionale dhe operative për të mbikëqyrë rastet brenda fushëveprimtarisë së tyre.
Anëtarët e këtij komisioni, kanë formuar grupin punues për Projektligjin për Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Pasurisë dhe të Dhuratave, si dhe për Projektligjin për Kompensimin e Viktimave të Krimit.