Me mbështetjen e kryetarit Ahmeti, Lipjani shënon Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve
Me aktivitete të shumta sot në qytetin e Lipjanit me mbështetje të Kryetarit të Komunës z. Imri Ahmeti po shënohet 1 Qershori, Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve.
Në sheshin e qytetit po zhvillohen aktivitete të ndryshme për të bërë këtë ditë sa më të veçantë, aktivitete këto që kanë për qëllim edhe promovimin e të drejtave të fëmijëve, të rrisin ndërgjegjësimin rreth çështjeve të tyre dhe të mbështesin rritjen dhe zhvillimin e tyre të shëndetshëm.
Kryetari Ahmeti me rastin e kësaj feste, sot në sallën e Kuvendit të Komunës ka pritur një grup të fëmijëve nga SHFMU “Rexhep Akllapi” nga fshati Akllapi, të cilët i ka uruar për këtë ditë.
Ai duke pasur parasysh rëndësinë e arsimimit dhe mirëqenies së fëmijëve ka theksuar se fëmijët janë thelbi i të ardhmes së vendit tonë dhe se duhet të jenë në qendër të çdo përpjekjeje për zhvillimin e qëndrueshëm dhe të drejtë të shoqërisë sonë.
“Është një ditë për të festuar, por gjithashtu për të reflektuar dhe për të marrë angazhime të reja për të krijuar një botë më të mirë për të ardhmen e tyre. Le të nderojmë fëmijët sot dhe çdo ditë, duke i dhënë atyre dashurinë, mbështetjen dhe hapësirën për të zhvilluar potencialin e tyre të plotë”, tha kryetari Ahmeti.
Përveç këtij takimi, kryetari iu bashkua edhe aktiviteteve të tjera, ku pjesëmarrja e tij në këto aktivitete tregoi edhe njëherë angazhimin dhe përkushtimin e vazhdueshëm që ka Komuna e Lipjanit për të ndihmuar fëmijët të rriten në një mjedis të sigurt dhe të shëndetshëm.
https://www.facebook.com/photo/?fbid=633806192107066&set=pcb.633808992106786