Më mirë të shkojmë në zgjedhje…!
Shkruan: Rexhep Selimi
Zgjedhjet e parakohshme në Kosovë, përtej asaj që janë të nevojshme, tash janë edhe të domosdoshme.
Ka kohë që deputetët e Kuvendit thirren në seanca në të cilat partitë e koalicionit asnjëherë nuk ia kanë arritur t’i mbledhin deputetët e tyre as për votime me shumicë të thjeshtë.
Deri tash, ky fakt tregonte që qeveria nuk e ka mazhorancën në parlamentare. Por tash, kur thirret seanca, sikur ajo e javës së kaluar, dhe anulohet vetvetiu në mungesë të deputetëve të mazhorancës, atëherë kemi të bëjmë me një situatë të re të krijuar në Kuvendin e Kosovës.
Ka kohë që Kosova nuk ka Kuvend funksional, por që nga java e kaluar, kur edhe deputetët e mazhorancës nuk i përgjigjen seancave, kjo i bie që koalicioni qeverisës ka hequr dorë nga Kuvendi.
Praktikisht, Kosova nuk e ka organin më të lartë ligjvënës. Në situata të tilla, vetëm zgjedhjet e menjëhershme janë nisje drejtë zgjidhjes. Madje, zgjedhjet e parakohshme, jo vetëm që janë shpëtim për Kosovën, por janë shpëtim edhe për partitë e koalicionit qeverisës.
Sa më shumë që zgjatë kjo qeveri aq më shumë militantë partiakë dhe zyrtarë të koalicionit qeverisës do të kapen nga policia dhe drejtësia për korrupsion, zhvatje dhe keqpërdorim të detyrave zyrtare.
Kështu që, nga zgjedhjet e parakohshme në Kosovë shpëton Kosova nga kjo qeveri e korruptuar por edhe vetë partitë e koalicionit do të përfitonin duke e ndalur kusarinë e militantëve partiakë në institucione dhe ndërmarrje publike.
Nëse shkojmë në zgjedhje tani, shpëton Kosova nga koalicioni i korrupsionit, por po ashtu shpëtojnë edhe partitë e koalicionit qeverisës nga kusarët e tyre të korruptuar nëpër institucione. Prandaj zgjedhjet janë zgjidhje dhe shpëtim.