Me moton ‘Mbroni botën tuaj – Vaksinohuni’ shënohet Java Evropiane e Imunizimit
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka shënuar Javën Evropiane të Imunizimit.
Shënimi i kësaj jave, ka për qëllim ngritjen e vetëdijes tek politikëbërësit, punëtorët shëndetësorë, prindërit dhe kujdestarët, e po ashtu edhe tek e gjithë popullsia, për rëndësinë e imunizimit, për të mbrojtur fëmijët nga sëmundjet e parandalueshme përmes vaksinimit dhe duke theksuar rolin kyç të profesionistëve shëndetësorë në ndërtimin e praktikave të parandalimit ndaj sëmundjeve ngjitëse vaksinë-preventabile.
Drejtori i IKSHPK-së, Naser Ramadani, ka thënë se në Kosovë, Programi i Zgjeruar i Imunizimit, është program me prioritet të lartë, dhe se të gjitha programet e miratuara dhe ndryshimet në vetë Programin e Zgjeruar të Imunizimit, duke përfshirë edhe kalendarin e vaksinimit, bëhen në përputhshmëri me rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe në vijë me Politikën e Imunizimit të miratuar nga Ministria e Shëndetësisë.
Ai ka thënë se ngritja e shkallës së imunizimit të fëmijëve në 95 për qind, që është një përfshirje e lartë, e radhitë Kosovën në mesin e vendeve më të suksesshme në botë, sa i përket programit të vaksinimit të fëmijëve.
“Falë vaksinimit, Kosova sot nuk ka paraliza të fëmijëve e as difteri, nga viti 1981, tetanus neonatal nga viti 1998, si dhe ka përqafuar Programin e Eliminimit të Fruthit dhe Kontrollës së Rubellës Kongjenitale”, ka thënë ai.
Zëvendësministrja e Shëndetësisë, Dafina Gexha, ka thënë se pandemia Covid-19 është shembulli më unik për të treguar se sa i ekspozuar është sot njerëzimi para rreziqeve shëndetësore, por në të njëjtën kohë, ajo tha se është shembulli më i mirë për të dëshmuar se solidariteti midis njerëzve nuk duhet të njohë kufij dhe duhet t’i kontribuojë mbrojtjes së solidaritetit.
Përfaqësuesja e zyrës së UNICEF-it në Kosovë, Dafina Muçaj, ka theksuar se që nga fillimi i pandemisë, UNICEF-i në Kosovë, ka bashkëpunuar me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike, në mënyrë që të minimizojnë impaktin e CoviD-19 në imunizimin e rregullt.
“UNICEF së bashku me organizatat me bazë në komunitet, ka përkrahur identifikimin derë-më derë të fëmijëve të cilët nuk janë vaksinuar, në mënyrë që Institucionet e Kujdesit Parësor Shëndetësor të vazhdojnë me vaksinimin plotësues të këtyre fëmijëve”, ka thënë ajo.
Përfaqësuese e zyrës së OBSH-së në Kosovë, Edita Haxhiu, ka thënë se objektivat e fushatës së këtij viti janë: të rrisin ndërgjegjësimin e publikut për mbrojtjen e ofruar nga vaksinat kundër sëmundjeve dhe vdekjeve gjatë gjithë jetës; të krijojnë mbështetje në mesin e profesionistëve të kujdesit shëndetësor për vaksinimin gjatë gjithë jetës; të angazhojnë politikëbërësit shëndetësorë dhe menaxherët e programeve të vaksinimit në miratimin e një qasjeje gjatë jetës ndaj vaksinimit.
Gjithashtu, ajo u shpreh se në muajt dhe vitet në vijim, programet e imunizimit në rajon do të duhet të mbajnë mbulim të lartë vaksinimi në çdo nivel administrativ. Kjo nënkupton sigurimin e marrjes së lartë të shërbimeve të rregullta të imunizimit, lehtësimin e imunizimit të ri për fëmijët dhe të rriturit që kanë humbur dozat në të kaluarën, dhe integrimin në këto shërbime të të gjithë të ardhurve, përfshirë migrantët dhe refugjatët.