Më nuk kam frikë
Lulzim Murseli
Liridon V. kishte dalë të vraponte në pyll siç bënte çdo ditë. Qe zgjuar në orën gjashtë të mëngjesit. Mbi trupin e gjatë, të drejtë, plot muskuj kishte vënë rroba sportive. Ai qe futur në pyll me një vrap të lehtë dhe vazhdonte përgjatë tij. Në hyrje të pyllit sytë të hasnin në mijëra njerëz të moshave të ndryshme: fëmijë, të rinj e deri te mosha e thyer. Ai çante përmes turmës së njerëzve dhe vazhdonte vrapi duke kaluar kilometra të tëra deri atje ku kishte më pak njerëz e që kryesisht ishin sportistë që falë kondicionit arrinin të shkonin në largësi më të gjata se njerëzit e zakonshëm. Sa shkonte më në thellësi të pyllit rrallohej numri i njerëzve. Mund të kaloje njëzet ose tridhjetë metra të takoje katër-pesë njerëz, pastaj të kaloje edhe tridhjetë-dyzet metra të tjera që të shihje dy-tre të tjerë.
Derisa po vraponte me atë çapin e lehtë, papritmas u shfaq një vajzë që dukej e tmerruar. Ajo pa më të voglin hezitim iu afrua Liridonit.
– Kam frikë – tha ajo duke e kapur për dore Liridonin. Dukej e trembur. Kishte çehre të tmerruar. Kishte një shikim të shqetësuar dhe vrojtues. Vetëm pëshpëriste fjalët “kam frikë”.
– Nga çfarë ke frikë? Të ndjekë kush? – e pyeti ai.
– Nuk e di – tha ajo, vetëm se kam frikë.
Ajo dukej e pushtuar nga një shqetësim që s’e shprehte dot, kurse ai vështronte rrotull. Syri nuk i kapte asgjë të dyshimtë, asnjeri dhe as një kafshë që, mbase, ta kishte frikësuar. Njerëzit që i shihte dukeshin normalë dhe të qetë, por ajo kurrsesi të qetësohej aq më pak të tregonte se çfarë e shqetësonte. Derisa Liridoni dhe vajza ecnin përpara ngadalë, tre vrapues vinin me vrap drejt tyre. Vajza, sapo i pa, u qetësua. Por, sapo nuk i vërejti më, sërish u tmerrua nga frika dhe vetëm sa nuk ia dha të qarit, ndërsa ai ia mbante duart shtrënguar dhe i fliste duke u munduar ta qetësonte.
– Mos ke frikë. Sa të jesh me mua asgjë e keqe s’të ndodhë. Ç’të bëhet me ty, do të bëhet edhe me mua. E sheh sa qetë duket përreth? – përpiqej ta nxirrte nga ajo gjendje frike e t’i jepte siguri.
– Oh, ju jeni një burrë shumë i sjellshëm ndaj një femre që i duhet ndihmë.
Ajo sikur vlerësonte praninë e tij me diçka heroike.
Liridoni dhe vajza ecnin pranë njëri-tjetrit. Ndërkohë, sapo u ndeshën në tre njerëz të tjerë që po vraponin në drejtim të tyre, ajo u qetësua edhe më shumë.
Nga ç’mund të ketë frikë, mërmëriti Liridoni me vete! Kur kishte njerëz ajo qetësohej, kur mbetej vetëm me të, ajo i shprehte frikë nga diçka që assesi s’e thoshte.
Pasi mbetën vetëm ata dy, në pyll më nuk pipëtinte asgjë. Ishte një qetësi shurdhuese derisa vazhdonin të ecnin. Kur kaluan dhjetëra metra rrugë qetë, papritmas u dëgjua një gulçimë vajze nga thellësia e pyllit, pastaj rënkime dhe klithma që formonin ofshama.
– Kam frikë – tha ajo për të satën herë dhe iu ngjesh Liridonit në trup. Ai hodhi një vështrim të kujdesshëm rreth e përqark dhe pasi u sigurua se nuk kishte njeri, ia mori dorën vajzës me të cilën ishte i mbërthyer dhe i tha: Mos ke frikë! Unë do të të qëndroj pranë.
Pastaj ajo u duk se po qetësohej.
– Ndihesh e sigurt me mua?, – e pyeti.
Ajo bëri “po” me kokë.
E kapi vajzën për dore dhe u futën në thellësi të pyllit. Pas gjysmë ore dolën nga brendësia e pyllit. Ai ngjitej si i dërrmuar, ndërsa ajo rregullonte flokët e shprishur. Porsa dolën në rrugë vajza i tha: Do të vazhdoj vetëm. Më nuk kam frikë.
Me trupin drejt dhe me kokën lart largohej me hapa të sigurt e pa frikë.