Më pak se 20 për qind e pronave në Kosovë janë të regjistruar në emër të grave

20 nëntor 2024 | 12:37

Më pak se 20 për qind e pronave në Kosovë janë të regjistruar në emër të grave.

Nga 625 mijë prona të regjistruara në Kosovë, vetëm 126 mijë janë gra.

Gjendja aktuale e të drejtave pronësore të grave, sipas Avokatit të Popullit, Naim Qelaj, nuk është e mirë.

“Qëllimi i mbajtjes së kësaj tryeze është të shohim se sa po gjen zbatim ligji dhe se po arrijnë gratë të gëzojnë të drejtat në pronë. Gjendja aktuale sipas statistikave nuk është e mirë. Më pak se 20 për qind të grave kanë të regjistruar pronat në emër të tyre”, tha Qelaj.

Ai shtoi se problematik është edhe ndarja e pasurisë bazuar në vlerësimin e kontributeve.

Në tryezën e diskutimit me temën “Të drejtat pronësore të grave: Korniza ligjore, teoria dhe praktika”, Xhevat Azemi, ekspert ligjor, foli për numrin e grave që kanë pronat në emër të tyre.

“Gjendja nuk është shumë e favorshme. Nga të dhënat e Agjencisë Kadastrale të Kosovës në Kosovë janë të regjistruar 625 mijë pronarë te regjistruar, prej tyre 126 mijë janë femra”, tha ai.

Profesori në Universitetin e Prishtinës, Abdulla Aliu, tha se është detyrë e shtetit që gruaja të gëzojë pronën e saj./kp/

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Policia e Kosovës konfirmon se ka më shumë se një…