Me pako prej 1.1 miliard eurosh do t’u dilet në ndihmë bizneseve
Pakoja e rimëkëmbjes ekonomike do të prezantohet javën tjetër, vlera e së cilës parashihet të jetë 1.1 miliard euro.
Zëvendësministri i Financave dhe Transfereve, Ilir Aliu, ka thënë se qeveria ka formuar komisionin i cili ka përgatitur plani e pakos për rimëkëmbje ekonomike. Sipas tij, kjo pako do të realizohet përmes kredisë, granteve dhe disa subvencioneve.
“Mënyra se i jemi qasur problemit është në dy faza. Faza e parë ka qenë emergjente, për bizneset dhe njerëzit që kanë më së shumti nevojë, pra shtresat e ndryshme sociale. Qëllimi i pakos emergjente fiskale ka qenë si një urë lidhëse që të tejkalohet e keqja e pastaj të vijmë te pakoja e rimëkëmbjes ekonomike.
Në mënyrë aktive po punojmë për dizajnimin e pakos. Kemi ftuar ekspertë të ndryshëm vendorë dhe ndërkombëtarë. Është formuar një komision i cili udhëhiqet edhe nga unë. Pakoja do të jetë shumëfish më e madhe se pakoja e emergjencës. Do të jetë me shumë prej 1.1 miliard eurosh.
Do të jetë gjithëpërfshirëse. Do të jenë të përfshira të gjitha bizneset në Kosovë. Detajet pritet të zbulohen në javën e ardhshme, mirëpo është bërë një plan që do t’i ndihmojë Kosovës që të rimëkëmbet”, ka thënë ai.
Aliu ka njoftuar se kreditë që do të lëshohen nga bankat komerciale do të garantohen nga qeveria përmes subvencionimit të kamatave.
“Mjetet do të shpërndahen në formë të kredisë, disa do të jenë grante e disa subvencione. Ne kemi marrë përsipër që kreditë që lëshohen nga bankat komerciale do të garantohen nga qeveria. Do të bëhet subvencionimi i kamatave, disa prej tyre do të jenë grante”, ka treguar Aliu.
Mes të tjerash, Aliu ka potencuar se pako nuk është e vonuar pasi, sipas tij, bizneset ende nuk janë duke zhvilluar aktivitetin e tyre plotësisht për shkak të ndalesave për parandalimin e Covid-19.
Aliu ka ritheksuar se javën e ardhshme do të bëhet me dije se si do të ekzekutohet pako dhe kujt i është dedikuar.
“Nuk e shoh të logjikshme që bizneset nuk janë 100 për qind të lira që ta zhvillojnë aktivitetin e tyre ekonomik, të kemi një pako e cila nuk mund të jepet në shfrytëzim të tyre për shkak ndalesave.
Shpresoj se ndalesat së shpejti do të kalojnë dhe pako do të jetë e gatshme në kohë. Në javën e ardhshme pako do të tregohet se sa është dhe kujt i dedikohet dhe mënyrën se si do të ekzekutohet”, ka bërë me dije Aliu./EO