Me pasaportë të Enver Hoxhajt, Kadri Veseli pati shkuar në Zvicër

11 maj 2020 | 09:13

Ish-ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj, ka rrëfyer ngjarje nga jeta e vet. Ai ka treguar edhe për një çast interesant me Kadri Veselin, por edhe si është njohur me të dhe me Hashim Thaçin.

“Unë z. Thaçi e njoh nga viti 1987 ose ’88. Kemi qenë shokë studimesh në Universitetin e Prishtinës dhe 94 kemi shkuar bashkë në Vjenë për studime. Kam një miqësi të vjetër, pastaj edhe kolegë në parti. Po aq gjatë e njoh edhe z. Veseli. Atë e kam takuar përmes Thaçit”, ka rrëfyer Hoxhaj.

“Kur kam shkuar për studime në Vjenë, në vitin 1994, në atë kohë nuk ka pasur viza për qytetarët e Maqedonisë dhe unë kam pasur një pasaportë të Jugosllavisë, si të gjithë në atë kohë. Një shok i imi nga Kumanova na ka dhënë pasaportën e vet, e kemi falsifikuar atë pasaportë dhe me fotografinë time kam hip në anije në Durrës dhe kam shkuar në Kopër. Në Kopër policia sllovene e pa që pasaporta është e falsifikuar dhe vendosi të më kthejë. Gjithashtu, ma kontrolloi edhe çantën dhe në të kisha plot libra anglisht, serbisht dhe shqip. Më pyetën ‘pse po shkon’. U tregova që për studime.  Më lëshuan, edhe pse ishin të sigurt se pasaporta nuk ishte e imja”, ka rrëfyer deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj.

“Me po të njëjtën pasaportë në vitin 1994 edhe Kadri Veseli e ka kaluar kufirin për Zvicër, e në atë kohë këtë e bënin shumica e shqiptarëve. Të dy i kam miq dhe nuk shoh dallime në miqësi me ta”, ka treguar ai në emisionin “n’Konak”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Johnson, ka njoftuar se…