Me përvojën personale të ndihmojmë të tjerët
Shkruan: Mr. Kristjan Dukaj –
Këtyre ditëve, bota ka përkujtuar rastet e para pozitive të prekura me covid-19.
kemi rikujtuar lajmet e para nga qyteti kinez, Vuhan, pamjet e para nga spitalet e atjeshme si dhe mjekët me maska në betejën me këtë të keqe duke tentuar të shpëtonin të sëmuret. Jemi përkujtuar informacionet e para lidhur me pasojat e rënda që po shkaktonte ky virus tek të infektuarit si dhe shumë të panjohura nga fillimi i saj, por edhe pamundësinë e shkencës në luftë me këtë sëmundje.
Përhapja e saj e shpejtë dhe pasojat e rënda, befasuan edhe sistemet më të përgatitura shëndetësore në botë. Për më pak se njëqind ditë, korona-virus arriti të gjunjëzojë të gjithë botën, duke përhapur frikë dhe panik edhe në shoqëritë më të zhvilluara e të cilat ishin të pafuqishme në luftë me këtë të keqe, e që as pesimistët më të mëdhenj, nuk do mund ta parashikonin rrjedhën e këtij virusi në nivel global, e cila nuk mund të krahasohet me situatat e ngjashme më përpara, madje as me fatkeqësitë natyrore ose edhe me luftërat e shumta. Për një kohë të shkurtër, jetët tona ndryshuan! Jeta në frikë, panik, izolim dhe pamundësi në luftë me armikun e rrezikshëm dhe të padukshëm! Para 9 muajve, edhe Mali i Zi shpalli rrezikun e përgjithshëm, ndërsa Qeveria, ka ndërmarrë një sërë masash duke vendosur shëndetin e qytetarët në vend të parë.
Në situatën e krijuar, sistemi shëndetësor ka marrë përgjegjësinë që në luftën me këtë sëmundje të rrezikshme të shpëtojë sa më shumë jetë të njerëzve tonë. Apelet e shumta, masat dhe rekomandimet e parapara nga kompetentet për ruajtjen e shëndetit, për veten dhe të tjerët, më së shpeshti nuk kanë dhënë rezultat e dëshiruara dhe për këtë arsye, sot, Mali i Zi është në situatë gjithnjë e më të rëndë, me rritjen e numrit të infektuarve me Covid-19 dhe për fat të keq me numër në rritje të vdekurve të afërmve, bashkëqytetarëve, kolegëve dhe të njohurve tonë. Masat preventive në parandalimin e zgjerimit të kësaj sëmundje janë marr me kohë, por nuk janë respektuar në masën e duhur e që e dëshmon situata e rëndë aktuale me korona virusin në Mal të Zi.
Përvoja ime personale në betejën me pasojat e koronavirusit të ri, me jep të drejtë të inkurajoj të tjerët në respektimin e përpiktë të masave të parapara. Rezultati pozitiv nga testimi, tek unë ngjashëm sikur për secilin të infektuar, ka shkaktuar shqetësim, frikë dhe ankth. Nëse kësaj i shtojmë edhe simptomat e dhimbshme të shkaktuara nga ky virus, krijohet vërtet një situatë e rëndë për familjen dhe rrethinën.
Edhe pse i ri dhe në fuqi të plotë, armiku i padukshëm Covid-19 nuk kursen askënd. Vendosmëria, vullneti dhe zbatimi i masave parandaluese si dhe përkujdesja e punëtorëve shëndetësorë, janë treguar të suksesshme në betejën aktuale e cila vazhdon.
Shpresojmë se gjendja e krijuar, përfundimisht, do të fillojë të qetësohet. Aq më parë pasi që, tashmë janë duke u paralajmëruar rezultatet e dëshiruara në zbulimin e vaksinës së shumëpritur. Por, megjithatë obligim i gjithë neve është të bëjmë atë që mundemi: bartjen e maskës, distanca fizike dhe higjiena e duarve. Për veten, të afërmit tonë dhe shoqërinë në përgjithësi.
(Autori është politolog, magjistër i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe diplomacisë, këshilltar i lartë për marrëdhënie me opinion në komunën e Tuzit).