Me plis të bardhë para hasmit për lirinë e Kosovës
IN MEMORIAM: Në Baicë të Drenicës, vdiq i burgasuri politik Sejdi (Sadri) Leku (1944-2024)
Shkruan: Skënder KARAÇICA
Në fshatin Baicë të Drenicës, sot ka vdekur i burgosuri politik i viteve 1981, Sejdi (Sadri) Leku, i cili tërë jetën ishte në krah të frymës kombëtare për Liri dhe Pavarësi të Kosovës.
Me punën e tij të ndershme ai në punëtorinë e tij bënte dyer e dritare për shtëpitë e reja në Drenicë. Në punë dhe në veprimzarinë e tij prej veprimtari e burrit të odës, nuk e hoqi plisin e bardhë nga koka.
E kishte për nder e për kujtim të traditës e të porosisë së babait Sadri Leku, njeriu i përkushtuar për tokën e bukës dhe për rritjen e fëmijëve, të djemëve dhe të vajzave në Drenicën e halleve të kohës…
Ishte viti 1981 kur tërë Kosova vlonte nga brohortijet e demonstratave të rinisë, të studentëve dhe të popullit, në kërkim të Lirisë dhe Pavarësisë së Kosovës. Regjimi shekullor i Serbisë e kishte mbushur kupën me kurthat, hilet, vrasjet dhe skenarët e varfërisë dhe të shfarosjes për shqiptarët në tokën e vet.
Kosova në këto vite ishte pjesa më e varfër e ish-Jugosllavisë dhe, për këtë nuk i prishej rahatia regjimit antishqiptar të Serbisë. Për shqiptarët në Drenicë, edhe kur shkonin në arat e bukës për të punuar, jetën e kishin luftë me regjimin serbo-jugosllav.
Sejdi (Sadri) Leku, në Gllogofc të kohës punoi si mjeshtër i mirë për dyer e dritare të reja. Ai gëzohej kur shihte që në fshatrat e Drenicës ndërtoheshin shtëpitë e reja dhe, mjeshtria e tij e vyer, bëhej pjesë e kulmeve të kuqe të shtëpive të reja, ku, bëhej dasmë e gëzime të familjes shqiptare nën vëzhgimin e pa rreshtur të regjimit se çfarë po bëjnë në Drenicë…?!
Djali i Baicës, djali i Sadri Lekut, njeriut të vuajtur të udhëve të jetimit,e kishin burrëruar para kohe djalin e madh të tij Sajdiun, që me plis të bardhë, me ballin e hapur punoi natë e ditë për të mbajtur familjen me shumë anëtarë. Sejdiu u bë i njohur si mjeshtër për dyer e dritare në Drenicë dhe, përmes ,,fabrikës,, së tij ai mbijetoi kundër regjimit të kohës, vrastare dhe antishqiptare…
Në kronikën e jetë së tij ai kujtohet kur në demonstratat e rinisë shkollore në Gllogofc(1981)e mbylli duqanin e tij dhe u bashkua me turmën e shpirtit liridashës në Drenicë,me thirrjen e zëshme përtej maleve ,,Kosova Republikë,,!
Nuk u ndal vetëm me kaq,përditë Sejdiu në krah të rinisë e të demonstratave…Pushteti serb dhe udbashët e kishin përcjellë hap pas hapi burrin nga Baica dhe, në fund të udhës të shpirtit kryengritës të rinisë së Drenicës, e ndalin Sejdi (Sadri) Leku dhe ia vëjnë hekurat në duart e tij për të dërguar prapa grillave të burgut në Prishtinë. Aty nis kalvari i vuajtjeve, të maltertimeve, të rrahjes me hekurat shkopinj të policisë për të kërkuar fjalën e tij: Se kush qëndrona pas turmës së madhe të historisë më të re të Drenicës kundër regjimit serbo-jugosllav dhe për parollën me motive të platformës kombëtare ,,Kosova Republikë,,!
Në burgun e Prishtinës dhe më vonë në burgjet e Serbisë, i denuar për veprimtari armiqësore sipas ligjeve të kohës, Sejdi (Sadri) Leku në tërë kalvarin e përgjakjes së trupit të tij, nuk e hoqi nga koka plisin e bardhë, shenjë e traditës të maleve për liri të Drenicës…!
Kështu mbeti tërë jetën burri dhe kryengritësi me frymën e lëvizjes së madhe, deri në kohën kur në Drenicë, doli para regjimit vrastar të Serbisë dhe para botës UÇK-ja në varrimin e mësuesit të vrarë në shkollën e Llaushës.
Tashti në vitin 1998 në Gllogofc, kishin ardhur forca të shumëta policore, ushtarake dhe paramilitare për të vrarë, për të djegur e shfarosur Drenicën.
Në udhëkryqin Gllogofc-Skenderaj gjëndej shtëpia e vëllait të tij Gani Leku dhe, për shkak të rethimit e të bombardimit me armat më të rënda serbe, shumë familje shqiptare ia mësyen qendrës së Gllogofcit, që të shpetojnë nga skenarët e Serbisë të njohur për kohën ,,Patkoj,,! Çaste të rënda, kishin ardhur për këtë anë të njohur në luftëra të prëgjakura, ku, në historinë shekullore të pushtimit e të ripushtimit nga Serbia, nuk ia ndali pushkën në malet kazerma të Ahmet Delisë,të Azem Bejtës, të Shaban Palluzhës dhe së fundi kryengritja e kthesës së madhe të historisë të Komandantit Legjendar të UÇK-së të Adem Jasharit.
Gllogofci në vitin 1998 ishte i rrethuar nga të katër anët nga forcat serbe. Sejdi (Sadri) Leku kishte dalur tek shkallët e shtëpisë dhe kishte filluar të grinte pak duhat (kaçak) për kutinë e burrërisë së tij. Në këto çaste po i thonë Sejdiut, hajde më shpejtë se jemi të rrfethuar e, hasmi nuk na pret…! Paksa si me humor, Sejdiu ua kthej fjalën: Pa e gri duhanin, nuk e kam ndërmend me e lshua shëtpinë…! Hjade me shpejt se ata erdhën në oborrin tonë, i thanë ata të shtëpisë përseri. Sejdiu nguli këmbë dhe,forcat armike të Serbisë i priti në tokën e vet, me plis të bardhë e para vdekjes…!
Përseri pas torturave të përgjakura, Sejdiu për herë të dytë u gjënd në burgjet e Serbisë, i dërmuar para vdekjes…! Dhe, në katrahurën deri në shkallë të gjenocidit,Kosova dhe shqiptarët, në vitin 1999, në krah të ndërhyrjes së forcave ushtarake (NATO) të aleatëve të udhëhequr nga Amerika, rrezet e diellit të lirisë së Kosovës erdhën me Lirinë dhe Pavarësinë. Në odat e Drenicës, historia shqiptare është shpjeguar se qysh se nga viti 1912-1999, shqiptarët asnjëherë nuk e kanë pranuar për shtet të vetin Jugosllavinë e aq më shumë Serbinë fashiste.
Sejdi (Sadri) Leku, kohën e Lirisë e të Pavarësisë së Kosovës e pati pritur me zemër hapur dhe, shpeshherë thoshte: Të qofshin falë plagët dhe gjaku im, Kosova e Lirë!