Me poezi në kërkim të vetvetes

16 korrik 2021 | 16:13

“Fati kapet prej flokësh” titullohet libri me poezi i autores Blerina Ademi-Sahiti, i botuar nga Shtëpia Botuese “Jakup Ceraja”.

Sapo ka dalë nga shtypi libri më i ri i botuar nga Shtëpia Botuese “Jakup Ceraja”. “Fati kapet prej flokësh” titullohet përmbledhja më poezi që për autore ka poeten nga Mitrovica Blerina Ademi-Sahiti. Ky është libri i saj i parë, në të cilin ka përfshirë poezi të shkruara qysh në vitet e para të gjimnazit.

Blerina, në librin e saj, flet me gjuhën e dashurisë në të gjitha trajtat e saj. Herë na shfaqet e dashuruar në pamundësi, e herë e zhgënjyer në ekstrem. Shpesh na paraqitet si një manushaqe ndër ferra dhe dy-tri poezi më vonë si një vetëtimë e dashuruar që djeg çfarëdo që i del përpara, derisa të arrijë te princi i saj i kaltër. Poezitë e saj nuk janë të gjata, por çdo varg përcjell mesazh. Vargu i saj bëhet interesant kur e lejon dhe e detyron lexuesin të imagjinojë dhe ta kërkojë vetveten.

“Autorja përfaqëson brezin e saj deri në adoleshencë, atë brez, ata të rinj që kanë zgjedhur të jetojnë në Kosovë. Te kjo aktiviste dhe poete në formim unë shoh zërin e dashurisë, reflektimet e së bukurës por edhe shpirtit e protestës për një shoqëri  ndryshe. Autorja duket e çliruar nga trishtimi i luftës, nga konceptet e jetës orientale, shikimi i saj duket se kërkon një jetë më të emancipuar, më evropiane. Jam i bindur se në sirtarët e saj ka të tjera poezi më të fuqishme, ajo ka një prirje të shkojë edhe më larg, ndoshta tregimi ose esetë do të jenë një gjini tjetër që ajo mund t’i lëvrojë. Bie dakord që libri i parë të ketë këtë kornizë sepse i pari mbetet i parë, si fillim duhet të buzëqeshim, pastaj të bisedojmë,” shprehet studiuesi dhe poeti shkodran Lulash Brigja.

Tema e poezive të saj, krahas ngjyrave lirike, prek edhe ato sociale, prandaj në vargjet e Blerinës secili lexues do të gjejë diçka nga vetja.

Botimi i librit “Fati kapet prej flokësh” është mbështetur nga Departamenti për Kulturë, Rini dhe Sport i Komunës së Mitrovicës.

 

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministria e Shëndetësisë (MSh) ka njoftuar se tashmë kanë përfunduar…