Me presionin ndërkombëtar, do të gjendeshin plot varreza shqiptarësh në Serbi
Departamenti i Krimeve të Luftës i Gjykatës së Lartë në Beograd më 18 nëntor ka lëshuar një urdhër për zhvarrosjen e një numri të paidentifikuar kufomash në një varrezë masive në Kizhevak të Komunës së Rashkës.
Ahmet Grajçevci, kryetar i Këshillit Koordinues për të Pagjeturit, tha për “Euronews Albania” se zona ku janë gjetur mbetjet mortore ka qenë një zonë e betonuar dhe sipër saj kishte shtëpi, ndërsa u shpreh i bindur se numri i trupave të pajetë duhet të jetë shumë më i madh seç raportohet.
Ai sqaroi se në procedurën e zhvarrimit marrin pjesë tri palë, ajo serbe, e kosovës dhe përfaqësues të EULEX-it.
Sipas Grajçevcit, Serbia nuk ka dhënë asnjë informacion për fatin e shumë shqiptarëve që kanë hyrë të gjallë në territorin serb dhe nuk janë gjetur më. Ai u shpreh i bindur se me presionin ndërkombëtar do të gjenden plotë varreza masive të shqiptarëve në Serbi.