Me protestë kundërshtohet vendimi i BQK-së për shtrenjtimin e sigurimeve (Video)
Para Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) me dhjetëra qytetarë kanë protestuar për të kundërshtuar vendimin e BQK-së për shtrenjtimin e sigurimeve të automjeteve për 26 për qind.
Me pankarta në duar, para BQK-së protestuesit kanë bërë thirrje për shfuqizim të këtij vendimi , pasi sipas tyre në këtë mënyrë ata do të dëmtohen.
Agan Hajdarhoxha nga grupi i “Meraklive të kerreve”, ka thënë se po kërkojnë që të kthehet çmimi i mëparshëm.
“Ne nuk po kërkojmë që të lirohet sigurimi, ne po kërkojmë që të kthehet vendimi i vjetër siç ka qenë. Kërkoj nga ky institucion që të marrë sa më shumë masa që ta kthejë vendimin e vjetër. Për t’u regjistruar një veturë standarde duhen minimumi 300 euro. Rroga mesatare nuk e kalon shumën 230 euro. Imagjinojini si do ta kalojë muajin një qytetar”, ka thënë ai.
Pas protestës, guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti, i ka ftuar në takim organizatorët e kësaj proteste.
Agan Hajdarhoxha ka thënë se me përfaqësuesit e BQK-së janë dakorduar që ditën e hënë t’i dorëzojnë gjashtë kërkesa për të cilat do të marrin përgjigje brenda tre ditësh.
“Pas një takimi mjaft të gjatë ne u pajtuam që ditën e hënë t’i dorëzojmë gjashtë kërkesa të protokolluara. Ata na premtuan se do të marrim përgjigje brenda tre ditësh për secilën përgjigje veç e veç. Nëse nuk plotësohen gjashtë kërkesat tona, në do të vazhdojmë me protesta derisa të plotësohen të paktën tre prej tyre”, ka thënë Hajdarhoxha .
Protestuesit kanë kërkuar pezullimin ose kthimin e menjëhershëm të vendimit për sigurimin e veturave, shqyrtimin e vendimit të ri të BQK-së, zhvillimin e një ankete me qytetarët, qasje në diskutimet midis BQK-së dhe kompanive të sigurimeve dhe mos të merren vendime pa dijeninë e qytetarëve.