Me rënien ekonomike, Kosova do të kërkojë kredi nga institucionet ndërkombëtare
Banka Qendrore e Kosovës tha se që nga fillimi i pandemisë së COVID-19, rreth 45 mijë subjekte kanë kërkuar shtyrje të pagesës së kredive për shkak të përballjen me rënie të veprimtarive dhe të të ardhurave.
Guvernatori Fehmi Mehmeti thotë se rënia e të ardhurave në buxhet, e dërgesave nga diaspora dhe mbyllja e një pjesë të bizneseve do të ndikoj në rënien ekonomike dhe do ta detyrojë vendin të kërkojë kredi nga institucionet ndërkombëtare.
Mehmeti, tha për “Zërin e Amerikës”, se tashmë është e ditur që do të përballemi me vështirësi ekonomike dhe ekonomia ka vazhduar të ketë rënie në nivel global jo vetëm në Kosovë.
“Do të afektohen në aspektin negativ të gjitha aktivitetet ekonomike edhe në nivel të Kosovës por edhe në nivel global dhe realisht kjo ka shtyrë të gjitha vendet e Evropës dhe në nivel global poashtu edhe Kosovën që të korrigjojë ose të bëjë parashikimet e mundshme ekonomike edhe pse është e vështirë që të bëhen parashikimet e sakta makro-ekonomike në këtë periudhë kohire marr parasysh faktin që nuk dihet se cilat do të jenë pasojat e pandemisë, nuk dihet se sa do të zgjasë pandemia mirëpo megjithatë janë disa vlerësime që ne si Bankë Qendrore i kemi bërë të cilat duhet të merren me rezervë duke pasur parasysh faktin që do t’i shikojmë nga afër zhvillimet ekonomike duke pasur parasysh edhe faktorët që përmenda më herët dhe të dalim me parashikime të sakta”, ka deklaruar ai.
Sa i përket rritjes ekonomike në vend, tha Mehmeti, parashikimet aktuale janë që do të kemi një rënie ekonomike prej minus 2 deri në minus 4 për qind. “Parashikimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar janë që Kosova do të ketë një rënie ekonomike rreth minus 5 për qind, por edhe njëherë po them këto duhet të merren me rezervë marr parasysh faktin se sot është vështirë që të bëhet një parashikim i saktë i rritjes ekonomike duke pasur parasysh efektet ose faktorët që nuk e dimë se sa do të zgjasë pandemia dhe cilat do të jenë përmasat e saja dhe të gjitha vendet janë duke i korrigjuar parashikimet e tyre makro-ekonomike marr parasysh faktorët që i përmenda më herët”, tha guvernatori i BQK-së.