‘Më së largu deri në fillim të vitit 2023 do të fillojë gjykimi ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit’
Kryetarja e Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova, ka mbajtur një konferencë për media ku ka folur në mënyrë kronologjike rastet që janë duke u trajtuar nga ky institucion.
Duke folur për rastin e liderëve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, Trendafilova ka bërë me dije se më së largu pritet që shqyrtimi kryesor i këtyre rasteve të fillojë në fillim të vitit të ardhshëm.
“Është parashikim i imi, duke parë dosjen e rastit të tyre, se deri ne fund të këtij viti apo më së largu në ditët e para të vitit 2023 do të fillojë gjykimi kryesor ndaj tyre”, ka thënë Trendafilova.
Kjo konferencë ishte paraparë të mbahej në Gjilan mirëpo është anuluar pasi që ishte paralajmëruar një protestë kundër vizitës së saj nga ana e PSD-së dhe ishte mbështetur edhe nga disa degë të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së.