Më shkarkoi [Kurti] që e nënshkrova marrëveshjen për linjën ajrore që e ndërmjetësoi Grenelli
Drejtori i shkarkuar i Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës, Eset Berisha, e ka quajtur “të jashtëligjshëm” vendimin e marrë nga Qeveria në detyrë e Kosovës për shkarkimin e tij.
Ai ka thënë se arsyeja e vetme e shkarkimit është krejtësisht politike dhe lidhet me “nënshkrimin e letrës së synimit me kompaninë ajrore ‘Lufthansa’ për linjën Prishtinë – Beograd në Ambasadën e ShBA-së në Berlin, më 20 janar te këtij viti”.
Berisha, ndër të tjera, ka shkruan se vendimin për shkarkim e ka kuptuar prej mediave, teksa i ka dhënë arsyet që janë dhënë për këtë gjë.
Ai ka paralajmëruar se do të mbajë një konferencë për shtyp sot në orën 11:00.
“Ndër arsyet e shkarkimit, të cilat rrjedhën nga mediat, sepse vendimi nuk është publikuar ende, thuhet se kam nxjerrë rregulloren e brendshme në kundërshtim me ligjin, se kam degraduar stafin menaxhues dhe kam mbajtur pozita tjera me pagesë dhe se kam rrezikuar Qeverinë e Kosovës me një proces arbitrazhi ndërkombëtar”, ka shkruar Berisha.
Sa i përket rregullores së brendshme, si shkruan ai në vazhdim, ajo “është hartuar dhe nënshkruar plotësisht në pajtim me nenin 41 dhe 42 të Ligjit nr. 06/L-113 për Organizimin dhe Funksionimin e Administratës Shtetërore dhe të Agjencive të Pavarura”, teksa vazhdon se janë respektuar të gjithë hapat për “nxjerrje të rregullores së një agjencie të pavarur e cila i raporton Kuvendit të Kosovës”.
Berisha në reagimin e tij i ka dhënë edhe sqarimet e veta karshi “sistematizimit dhe klasifikimit të vendeve të punës në AAC”, duke thënë se një gjë e tillë “ka qenë kërkesë e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të vitit 2014 dhe Auditorit të Brendshëm të vitit 2018”.
Berisha, i shkarkuar të martën mbrëma me rekomandim të Zyrës së Kryeministrit, ka qenë këshilltar politik i Pal Lekajt. Ai ka nënshkruar marrëveshjen për linjën ajrore Prishtinë – Beograd në Berlin.
Në reagim ai ka treguar se gjatë kohës sa ka qenë këshilltar i Lekajt ka mbajtur pozitën e anëtarit të njësisë mbikëqyrëse të projektit të autostradës Prishtinë – Han i Elezit si dhe ka qenë kryetar i Komitetit të Auditimit të Brendshëm në Ministrinë e Infrastrukturës.
“Këto dy pozita i kam ushtruar edhe pas emërimit si drejtor i përgjithshëm i AAC-së. Asnjëra dhe as tjetra nuk janë në kundërshtim me ligjin për aviacionin civil dhe as me ligjin për parandalimin e konfliktit të interesit. Emërimi në pozitën e drejtorit të përgjithshëm është bërë në pajtim me nenin 20 të Ligjit për Aviacionin Civil, si në rastin tim ashtu edhe në rastin e ish drejtorit të përgjithshëm”, ka shkruar ai.
Lidhur me arsyen e arbitrazhit, shkruan në vazhdim Berisha, “nëse Qeveria e Kosovës mendon se duhet të ketë shmangie nga zbatimi i ligjeve te Republikës së Kosovës dhe akteve nënligjore në zbatim të këtyre ligjeve, për shkak të interesave të palëve të cilat kërcënojnë me procese arbitrazhi nëse preken interesat e tyre, atëherë një gjë e tillë është e papranueshme për një shoqëri ku sundon ligji”.
“Rregullat e BE-së të zbatueshme në vendin tonë kërkojnë që pasi një aeroport të kalojë pragun prej 2 mil. udhëtarëve, duhet të ketë të paktën dy operatorë për secilën kategori të shërbimeve në tokë. Për momentin ekziston vetëm një operator. E gjitha ajo që kam kërkuar është hapja e tregut të shërbimeve në tokë në aeroportin “Adem Jashari”, koncesionari privat e ka mbështetur të drejtën e tij në detyrimin për vjelje të tarifave fikse dhe pamundësi të vjeljes së këtyre tarifave nga operatorët tjerë. Deri në hapjen e tregut të shërbimeve në tokë e kam kufizuar aprovimin për koncesionarin dhe furnizuesin me kerozinë të aeroplanëve, që është i vetmi, për shkak të detyrimit ligjor për hapje të tregut”.
(B. D.: ‘Epoka e re’)