Me shpejtësi 212 km në orë, shoferi bie në radarin e policisë
Tejkalimi i shpejtësisë nga shoferët është bërë gjë e zakonshme në rrugët e Maqedonisë së Veriut.
Pavarësisht se policia po kryen kontrolle të shpeshta, të njëjtat nuk është se ndikojnë shumë në edukatën e shoferëve gjate ngasjes së automjeteve.
Pas aktivizimit të djeshëm të radarëve, policia ka lokalizuar një shofer që “fluturonte” me shpejtësi deri në 212 kilometra në orë.
“Një automjet ka lëvizur me mbi 70 kilometra në orë më shumë se shpejtësia e lejuar”, thuhet në njoftimin e MPB-së.
Policia nuk ka sqaruar me detaje se në cilën pjesë rrugore të Maqedonisë ka ndodhur kjo dhe kush ishte shoferi. Nuk saktësohet dënimi që do t’i shqiptohet, por ngelet shqetësues fakti se ka shumë raste të tilla që radarët e policisë kapin shoferë të papërgjegjshëm.
Vetëm nga rastet e djeshme, tre shoferë lëviznin me shpejtësi mbi 50 kilometra në orë më shumë se e lejuar.
“79 automjete e kanë tejkaluar shpejtësinë në vende të banuara, kurse 106 në vende të pabanuara”, thonë nga MPB. Nga MPB sqarojnë se kontrollet e radarëve të kryera nga policia duhet të jenë edhe më të shpeshta në shumë vende. Shkelësit janë të shumtë dhe vazhdojnë të bëjnë të njëjtat kundërvajtje.