Me shumë gjasë, Kosova pa viza me 13 tetor

30 shtator 2022 | 08:19

Pas më shumë se një dekade angazhim, premtime, gaz lotsjellës në Kuvendin e Kosovës dhe protesta masive në sheshet kryesore të Prishtinës, shteti më i ri në Evropë është më afër se kurrë që në gjysmën e parë të vitit tjetër, të udhëtojë pa viza në vendet e Bashkimit Evropian.

Profesori i diplomacisë dhe ish-zëvendës ministri i jashtëm i Kosovës, Valon Murtezaj, vlerëson se tash është momenti që shtetet evropiane të vendosin në mënyrë meritore dhe regjimi i vizave për qytetarët e Kosovës të hiqet.

“Hezitimet e mëhershme të disa shteteve, jo vetëm Franca dhe Holanda, por edhe disa vende që ende nuk e kanë njohur Kosovën, kanë qenë te lidhura me potencialin e keqpërdorimit të mundësisë së lëvizjes së lirë pa viza, bazuar në përvoja të mëhershme me qytetarë nga shtete të tjera”, thotë ai.

“Le të kemi besim qe kësaj radhe vendimi do të jetë pozitiv, dhe që qytetarët e Republikës së Kosovës do të mund të lëvizin pa viza ne gjysmën e parë të vitit të ardhshëm”, shprehet ai.

Edhe Bekim Çollaku i cili shërbeu gjatë viteve 2014-2016 si Ministër i Integrimeve Evropiane, beson se në muajt e ardhshëm, Këshilli i BE-së do të marr një vendim pozitiv me shpresën se nuk do të ketë më kushte të reja për t’u plotësuar sepse të gjitha kriteret e parapara janë përmbushur nga institucionet e Kosovës qysh para katër viteve.

“Bazuar në deklaratat e ndryshme të zyrtarëve të BE-së, mirëpo edhe zyrtarëve që përfaqësojnë këto dy shtete (Franca dhe Holanda), është e qartë se tani rezistenca kundër liberalizimit të vizave për Kosovën është në nivel të ulët, gjë që krijon një momentum për ta iniciuar vendimmarrjen në kuadër të këshillit të BE-së”, theksoi Çollaku.

Ndërkaq, nëse merret një vendim pozitiv nga Këshilli i BE-së, implementimi i plotë, megjithëse formal, do të kalojë nëpër disa procese teknike.

Siç shpjegojnë njohësit e proceseve integruese në Kosovë, fillon përpilimi i këtij vendimi në mekanizmat përkatës, zakonisht në nivel të ministrave për punë të brendshme dhe drejtësi të shteteve anëtare të BE-së.

Pastaj ka disa hapa teknik zbatues, përfshirë aspekte të komunikimit me publikun për të sqaruar më tej çfarë nënkupton heqja e vizave dhe cilat janë përgjegjësitë institucionale dhe individuale në këtë raport, por pas vendimit të Këshillit këto janë vetëm formale.

Por më 13 tetor, çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën në takimin e grupit punues të Këshillit Evropian, mund të kalojë pa vendim pozitiv për Kosovën.

Në këtë rast, siç pohon Çollaku, do të vazhdojë periudha e izolimit dhe diskriminimit të qytetarëve të Kosovës kurse Murtazaj nënvizon se një situatë e tillë do ta minonte kredibilitetin e BE-së në Kosovë duke e rritur edhe më shumë zhgënjimin dhe dëshpërimin e kosovarëve.

“Por ne shpresojmë se e gjithë kjo maratonë e vështirë dhe e hidhur, do të ketë një epilog pozitiv deri në fund të këtij viti”.

Nga ana tjetër, për profesorin e marrëdhënieve ndërkombëtare, Dritëro Arifi, dy momente duhet të shihen si pikë kthese në raport me liberalizimin e vizave për Kosovën.

E para, sipas Arifit, ka të bëjë me reflektimin e BE-së pas agresionit rus në Ukrainë, ndërsa si arsye të dytë ai e veçon lobimin e fuqishëm të Gjermanisë e cila përdori ndikimin e saj brenda BE-së, për t’i bindur anëtarët kundështues se kosovarët e meritojnë liberalizimin e vizave.

“Nëse BE-ja nuk e përmbushë këtë premtim kjo do të ishte kthim mbrapa dhe do te thyhej besimi jo vetëm te qytetarët e Kosovës, por tek të gjitha institucionet e Kosovës, pra praktikisht BE-ja do të mbetej pa asnjë fije kredibiliteti në politikën kosovare”, potencon Arifi për AP.

Sa u përket vendeve të Ballkanit Perëndimor, qytetarët e Malit të Zi, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut, ata mund të udhëtojnë pa viza që nga dhjetori i vitit 2009. Për qytetarët e Shqipërisë dhe Bosnjë-Hercegovinës, lëvizja pa viza u bë e mundur që nga fundi i vitit 2010.

Mirëpo sipas tij, një vendim negativ për Kosovën do të prekte edhe rajonin sepse siç shton ai, kjo gjë do të nënkuptonte se BE-ja nuk është e gatshme për të implementuar me sukses politikat e zgjerimit ndaj Ballkanit Perëndimorë.

“BE-ja e ka të pamundur të thotë jo kësaj radhe, pikërisht për shkak se duhet të dëgjohet fryma pozitive e zgjerimit të BE-së për momentin”.

Kjo maratonë mund të përfundojë në Bruksel më 13 tetor.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, dhe sekretari i përgjithshëm…