Më shumë se 100 mijë persona firmosin peticionin, kërkohet përsëritja e finales Itali-Angli
Në Angli vazhdojnë të mos e pranojnë ende humbjen e pësuar ndaj Italisë në finalen e Europianit në “Wembley”.
Më shumë se 100 mijë tifozë të Anglisë kanë nënshkruar peticionin, duke kërkuar që UEFA të përsërisë finalen e Europianit. Anglezët pretendojnë se arbitri Bjorn Kuipers ishte në krahun e Italisë në ndeshjen e 11 korrikut, duke thënë se i dha një dorë skuadrës së Mancinit për të fituar trofeun në fund.
Kryesisht ata e kanë me rastin në minutën e 96-të, kur Chiellini humbi një top në mesfushë dhe ndali në mënyrë të gabuar talentin Saka. Sipas anglezëve në atë rast mbrojtësi i Italisë duhej të ndëshkohej me karton të kuq dhe jo të verdhë. Të mërzitur me këtë, tifozët anglezë kanë hapur një peticion, ku kërkohet përsëritja e ndeshjes, i cili është nënshkruar nga më shumë se 100 mijë njerëz.