Më shumë se 100 vaksina për COVID-19 janë duke u zhvilluar në të gjithë botën
Një ekip i shkencëtarëve të Oksfordit që zhvillojnë një vaksinë kundër coronavirusit është përballur me problemin e parë.
Ata besojnë se për shkak të rënies së infektivitetit të sëmundjes, do të jetë më e vështirë të vërtetohet nëse vaksina është e suksesshme, shkruan “The Telegraph”.
“Kjo është një garë kundër kohës dhe një virus që po zhduket”, i tha gazetës Adrian Hill, drejtori i Institutit Jenner.
“Në fillim të vitit, ne thamë se kishte një shans prej 80% që do të zhvillonim një vaksinë efektive deri në shtator. Në këtë pikë, ekziston një shans 50% që ne nuk do ta marrim atë fare”, transmeton “Telegrafi”.
Hill pret që më pak se 50 njerëz nga 10,000 që vullnetarisht janë për testim në Oksford do të infektohen me coronavirusin e ri. Ai beson se rezultatet do të jenë të padobishme nëse më pak se 20 njerëz infektohen. Vaksina nga Oksford është aktualisht një nga të preferuarat për të kaluar në prodhim në masë, nëse vërtetohet efektiviteti i saj. Por duke pasur parasysh deklaratat e Hill, pyetja është nëse shkencëtarët e Oksfordit do ta prodhojnë vaksinën apo jo.
Më shumë se 100 vaksina aktualisht janë duke u zhvilluar në të gjithë botën. Qeveria britanike ka investuar më shumë se 100 milionë në një ekip hulumtues nga Oksford dhe beson se deri në 30 milionë doza do të jenë gati deri në shtator. Deri atëherë, do të jetë një sfidë për të gjetur një vaksinë që është efektive.
Shkencëtarët në Universitetin Rockefeller në New York zbuluan se shumica e atyre që u shëruan nga COVID-19 të cilët nuk shkuan në spital nuk kishin antitrupa.
“Kjo është shumë sfiduese. Nëse një infeksion i zakonshëm nuk jep një imunitet të lartë, përveç kur ne po flasim për një infeksion serioz, çfarë mund të bëjë një vaksinë? Mund të bëjë më mirë se kaq, ne ende nuk e dimë”, tha Stanley Perlman, një shkencëtar që punon në hulumtimin e coronavirusit në Universitetin e Iowa.