‘Më shumë se gjysma e fëmijëve në Kosovë kanë përjetuar dhunë fizike’
Me rastin e 30-vjetorin e shënimit të Ditës Ndërkombëtare për të Drejtat e Fëmijëve, Koalicioni i Organizatave Joqeveritare për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF) i ka bërë thirrje institucioneve që të marrin masat e nevojshme për zbatimin e Ligjit për mbrojtjen e fëmijës në mënyrë që atyre t’u sigurohet mbrojtje.
KOMF-i ka theksuar se gjendja e fëmijëve në Kosovë është e rëndë dhe shkalla e varfërisë tek fëmijët është e lartë.
“Të dhënat e fundit flasin për një shkallë të varfërisë së fëmijëve prej mbi 20.7 për qind. 10.7 për qind e fëmijëve në Kosovë janë të përfshirë në punë, përderisa 6.8 për qind prej tyre punojnë në kushte të rrezikshme. 61.4 për qind e fëmijëve në Kosovë kanë deklaruar që kanë përjetuar dhunë fizike apo psikologjike gjatë muajit të fundit të intervistimit, kur është bërë hulumtimi. Vetëm 10 për qind e fëmijëve me aftësi të kufizuara kanë qasje në shërbime cilësore shëndetësore, sociale dhe arsim. Raportet nga institucionet qeveritare dhe joqeveritare flasin për rritjen e përfshirjes së fëmijëve në sjellje që janë në kundërshtim me ligjin, përfshirë edhe dhunën, pasojat e së cilës në disa raste kanë qenë fatale për vetë fëmijët”, ka njoftuar KOMF-i.
Ky koalicion ka thënë se mbetët i përkushtuar në mbështetjen e reformës për mbrojtjen sociale të fëmijëve.
“KOMF-i do vazhdojë të mbështesë zhvillimin në fëmijërinë e hershme dhe të avokojë për rritjen e cilësisë dhe integrimin e shërbimeve të mirëqenies sociale, shëndetësisë dhe arsimit. KOMF-i si koalicion i 29 organizatave joqeveritare, bazuar në objektivat e saj do vazhdojë fuqizimin e organizatave lokale në fushën e mbrojtjes së fëmijëve”, është thënë në këtë njoftim.
/Epoka e re/