Më shumë se gjysma e popullsisë së botës rrezikohet nga sëmundjet e përhapura nga mushkonjat
Më shumë se gjysma e popullsisë së botës mund të jetë në rrezik nga infektimi me sëmundjet e transmetuara nga mushkonjat si malaria dhe denga deri në fund të shekullit, kanë paralajmëruar shkencëtarët.
Siç kanë paralajmëruar ekspertët, shpërthimet e shkaktuara nga mushkonjat dhe të nxitura nga ngrohja globale, do të përhapen gjatë dekadave të ardhshme në pjesë të Evropës veriore dhe rajone të tjera të botës.
Vetëm në Mbretërinë e Bashkuar, shifrat e publikuara nga Agjencia e Sigurisë Shëndetësore (UKHSA) tregojnë se rastet me malarie arritën në 2,000 për herë të parë në mbi 20 vjet.
Bëhet e ditur se në vitin 2023, në Angli, Uells dhe Irlandën e Veriut, u konfirmuan 2,004 raste me malarie, shkruan skynews.
E kjo rritje thuhet jetë shkaku i “ringjalljes” së sëmundjes në shumë vende dhe rritjes së udhëtimeve të ndryshme jashtë shtetit pas heqjes së kufizimeve pandemike.
Ndërkohë, numri i rasteve me dengë të raportuara në Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH) është rritur dhjetëfish në dy dekadat e fundit, nga 500 mijë në mbi 5 milionë.
Mushkonjat që e bartin dengën kanë pushtuar 13 vende evropiane që nga viti 2000, me përhapjen e parë lokale të sëmundjes në Francë, Itali dhe Spanjë.
“Ngrohja globale dhe ndryshimet klimatike do të ndikojnë që sëmundje si malaria dhe dënga të gjejnë shtëpi në më shumë rajone, me shpërthime që ndodhin në zonat ku njerëzit kanë imunitet më të dobët”, tha Rachel Lowe, profesor në Institutin për Kërkime dhe Studime të Avancuara në Spanjë.
Ndryshe, studiuesit paralajmërojnë se popullsia në rrezik nga malaria dhe denga mund të rritet për 2.4 miliardë persona të tjerë deri në vitin 2100.
E tani, ata po zhvillojnë mënyra për të parashikuar se ku dhe kur mund të ndodhin epidemitë duke përdorur të dhënat e mbikëqyrjes së sëmundjeve.
Gjetjet u prezantuan në Kongresin Global të ESCMID në Barcelonë, Spanjë. /Telegrafi