Me sukses të jashtëzakonshëm u hap viti artistik me manifestimin tradicional “Dita e plisit”
Në Teatrin shqiptar në Shkup u mbajt manifestimi “Dita e plisit”.
Në prani të liderit shqiptar, Ali Ahmeti, përfaqësuesve të nivelit qendror e lokal, ministra, deputetë, kryetarë të komunave, mysafirë nga Kosova, Shqipëria dhe shumë viseve shqiptare, u shpalos një program spektakolar, premierë absolute duke hapur kështu edhe vitin kalendarik-artistik 2024 për Ansamblin shqiptar në RMV.
Ky manifestim u mbajt për të tretin vit me radhë nën përkujdesjen e Ministrisë për Sistem Politik dhe Marrëdhënie në mes Bashkësive dhe u mbështet nga Ministria e Kulturës, Radiotelevizioni i Maqedonisë-programi në gjuhën shqipe, Radiotelevizioni i Kosovës dhe Radiotelevizioni shqiptar duke marrë dimension sa institucional aq edhe mbarëkombëtarë.
Mesazhe urimi për 16-vjetorin e Pavarësisë janë dërguar përmes sallës së Teatrit shqiptar, në Shkup, ku nuk kishte vende të mjaftueshme për të gjithë spektatorët që kishin mbushur çdo cep të asaj salle.
Programi u hap në formën më madhështore me recitalin “Plisi” që e solli aktori i ardhur enkas nga Amerika, Pajazit Murtishi, i cili përmes vargjeve kujtoi lashtësinë pellazgo-ilire të këtij simboli të shenjtë kombëtarë që u bart me aq krenari nga Zeusi, Akili, Afërdita e deri në ditët e sotme.
Më pas u interpretuan dy himne si gërshetim i të shkuarës dhe të sotmes. Himni “Porsi fleta e ejllit të zotit” që është himni i parë shqiptar me tekst nga Gjergj Fishta që u muzikua nga Lec Kurti në vitin 1913 dhe “Himni i ansamblit” shkruar enkas për Ansamblin shqiptar nga Naim Gjoshi, që u shpalos si premierë absolute me emrin “Valle arbërore” dhe do të jetë kolona zanore identifkuese e institucionit. Pas hapjes së këtij koncerti me himne madhështore, u shpërndanë plisa për të gjithë spektatorët, dhuratë kjo që ansambli shqiptar e bën çdo vit, me 17 shkurt. Me pamje madhështore të spektatorëve e artistëve vazhdoi programi me sofrën tradicionale të ansamblit, ku solistët veteranë Selajdin Miftari e Nexhat Suma, shoqëruar nga Jetmir Rexhepi, Kastriot Latifi, Agron Kalisi, Zekirija Lamallari dhe instrumentistët Kadri Selmani, Remzi Matoshi e Shkëlqim Jahi, u duartrokitën fuqishëm në interpretimet e këngëve “Vjen valia prej Manastiri” një këngë kerçovare dedikuar Mefailave, Kalosh Danit dhe trimave të Zajazit të viteve 1912-1913, për të vazhduar me këngën e njohur “ Ani moj Shqipni mos thuj marova” që na riktheu në kujtesë të madhin Dervish Shaqa i cili shkroi me këngë historinë tonë të lavdishme. Kjo sofër u mbyll me këngën dramatike e epike antologjike “Hajde, hajde Keq Hyseni” që shpalosë trimërinë e pashoqe shqiptare.
Pas kësaj atmosfere, të jashtëzakonshme u prezantua vallja “Viganët e Sharrit” valle kjo e punuar me mjeshtëri nga koreografi Robert Nuha, kompozitori Valton Beqiri dhe ekzekutuar mrekullisht nga orkestra e ansamblit dhe valltarët në krye me Jeton Feratin në rolin e solistit. Pas ovacioneve të jashtëzakonshme dhe emocioneve që u ndjenë tek spektatorëve, u prezantua blloku i radhës solli që solli tema të larmishme të vuajtjeve, gëzimeve, shpresës dhe ardhmërisë sonë. Këngëtari Agron Kalisi, shkëlqeu me interpretimin e këngës për Nënë Terezën, shenjtoren tonë nga Shkupi dhe kjo këngë u risjell pas 30 vitesh në skenë. Brengën dhe plagën e përhershme- mërgimin e solli Era Azemi e cila bëri një interpretim të veçantë të këngës “Çka ka zogu që po kjan”.
Fuqishëm erdhi mesazhi i Mitrush Kutelit dhe “Poemi kosovar” shkruar në vitin 1943, interpretuar në formën më unike dhe në variante tejet origjinal nga tenori dhe drejtori i ansamblit Shkodran Tolaj , i cili u shoqëruar nga grupi i solistëve dhe krijoi atmosferë krenarie për lashtësinë tonë si komb. Ky mesazh u fuqizua me duetin e interpretuar nga Nexhat Suma e Shkodran Tolaj, dy vokale të fuqishme të cilët për herë të parë sollën këngën “Nga Shkupi në Prekaz” që paraqet përmes tekstit peligrinazhin tonë si komb, duke mbajtur gjallë figurat tona kombëtare e legjendare për gjenerata të tëra. Lavdia u takon të rënëve të cilëve u takon falënderimi dhe përkulja e përjetshme.
Ky bllok u mbyll me këngën dedikuar kryeqytetit të Vilajetit të Kosovës, Shkupit që na bën krenarë për figurat historike e kulturore që i ka falur kombit. Kjo këngë me titull “Shkupi dardan” solli emocione të veçanta për të gjithë të pranishmit.
Koncerti u mbyll fuqishëm ashtu sikurse u hap dhe vazhdoi për një orë e 15 minuta me të njëjtin intensitet duke sjell një spektakël të rrallë, të përgatitur deri në detajet më të vogla dhe kjo u vlerësua nga profesionistë të shumtë dhe spektatorët në sallë.
Në shenjë homazhi për ikonën Liliana Cingun, që e humbëm javë më parë, erdhi premierë absolute në Maqedoninë e Veriut vallja “Festë të madhe ka Shqipëria” e vënë në skenë nga i madhi Panajot Kanaçi, me muzikë nga Çesk Zadeja në vitin 1969, e rikthyer sot duke marrë përmasa më të mëdha me titullin “Festë të madhe ka Arbëria” ku të gjithë valltarët e ansamblit shkëlqyen, në veçanti Avni e Xheneta Zeneli, të cilët ishin në rolin e solistëve dhe asistentëve të koreografit Robert Nuha për këtë rivënie të fuqishme në skenën tonë.
Me uratat më të mira për shumë manifestime të nivelit të tillë profesional, prezantuesja e njohur dhe e mrekullueshme nga Shqipëria, Suela Demiri mbylli manifestimin “Dita e plisit” 2024 në prani të 50 artistëve të ansamblit në skenë dhe në shoqërim të duartrokitjeve frenetike të spektatorëve që ndoqën këtë koncert solemn!