ME SYTË E TU
ANNA BAGRIANA
Me sytë e tu
do më këqyr
tjetri
prej se tre tingujt e emrit tim të thjeshtë
si flutura
të frikësuara
do të fluturojnë mbi buzët tua
dhe fluturimthi
do të ulen mbi buzët e tij
ai qëllimisht do ta këpusë një yll prej qielli
do ta zbresë poshtë
dhe vetëm një dëshirë do ta mendojë:
të bëhet
ti
DYQANI PËR FËMIJË
Mirë se erdhët në dyqanin për fëmijë!
Këtu ka gjithçka:
arinj mëndafshi e delfinë,
kukulla, avionë, karroca, pistoleta.
Disa artikuj
mund t’i blesh me çmim të përgjysmuar
ose të përfitosh biletë falas për një rrotulluese,
varësisht nga promocionet.
Endem nëpër labirintin e larmishëm
dhe mundimshëm kërkoj të humburën.
E koha
fshihet pas arkës
dhe më përqesh
madje unë,
me shportë të zbrazur
e me lot në sy,
dëshpërueshëm,
kërkoj daljen.
Mirë se erdhët në dyqanin
për fëmijë!
Këtu shitet gjithçka.
Përveç fëmijërisë.
LIDHJA
Numri i parapaguesit s’ka qasje
mos thirrni në këtë numër
mendja njerëzore ende s’e ka shpikur
NJË lidhje të këtillë celulare
por me kohë
dikush do të fitojë me KËTË para
të çmendura
sepse nevoja t’u telefonosh
të vdekurve
është më e madhe
sesa për të gjallët
(Përktheu: Salajdin Salihu. Marrë nga numri i pestë i revistës “Akademia”)