Me thirrjen ‘Me ju çlirimtarë’ të shtunën OVLUÇK-ja organizon protestë në Prishtinë
Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVLUÇK) ka dhënë detaje për protestën që pritet të mbahet të shtunën në Prishtinë për “fyerjet që po bëhen ndaj UÇK-së”.
Ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVLUÇK-së, Faton Klinaku, ka thënë se të shtunën do të ketë aktivitet protestues përmes artit.
“Kemi nderin të ju njoftojmë që me datën 12.06.2021, orën 11:00, në sheshin ‘Skënderbeu’ në Prishtinë, do të mbahet aktivitet protestues përmes artit, për shkak të fyerjeve që po bëhen ndaj UÇK-së dhe në përkrahje të çlirimtarëve që gjenden padrejtësisht në dhomat e specializuara në Hagë. Këtë përvjetor të ditës së çlirimit të Kosovës, po e presim pa prezencën e krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, prandaj e kemi obligim moral e njerëzor që në këtë ditë të veçantë për vendin tonë, të jemi në përkrahje të tyre. Dil dhe shkruaj mbishkrimin ‘Me ju çlirimtarë’ dhe formo figurat e nismëtarëve të lirisë”, ka njoftuar Klinaku nëpërmjet llogarisë se vet në “Facebook”.
Ai ka thënë se në këtë aktivitet protestues do të përformojnë artisti Besart Gashi, dhe këngëtari Shkelzen Morina.