‘Me vetting do të kthehet besimi i qytetarëve ndaj institucioneve të drejtësisë’
Procesi i vettingut në gjyqësi, prokurori, nivele të larta në polici dhe Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI) është synimi kryesor i qeverisjes së mundshme të LDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje.
Këto dy parti janë duke u zotuar për reforma rrënjësore në sistemin e drejtësisë dhe kthimin e besimit të qytetarëve ndaj këtyre institucioneve.
Në tryezën me temën “Prioritetet legjislative në fushën e sundimit të ligjit: Një perspektivë nga legjislatura e re e Kuvendit”, të organizuar nga GLPS-ja, Albulena Haxhiu nga Lëvizja Vetëvendosje, ka thënë se në takimin me LDK-në do të flasin për sundimin e ligjit.
Ajo ka deklaruar se një prej synimeve kryesore të qeverisjes së tyre është kthimi i besimit të qytetarëve në institucionet e drejtësisë.
Haxhiu ka thënë se e kanë obligim krijimin e institucioneve të pavarura. Sipas Haxhiut, procesi i vettingut do të përcillet me një ekspertizë të integritetit të lartë, pa pasur bllokim të sistemit, raporton “Ksp”.
Krahas kësaj, ajo sa i përket krimeve të luftës, ka thënë se 20 vjet pas luftës është vonë që institucionet e Kosovës të merren me këto krime. Ajo ka thënë se numri i vogël i prokurorëve specialë që merren me këto krime, e pamundëson efikasitetin për të dënuar krimet që kanë ndodhur në vend.
Ndërsa Armend Zemaj nga LDK-ja, ka thënë se ndryshimet efikase do të ndodhin dhe se kërkohet edhe hartim i legjislacionit. Zemaj ka thënë se është i domosdoshme bashkëpunimi me Kuvendin dhe shoqërinë civile.
Në anën tjetër, si prioritet të parë për legjislaturën në ardhje, Arton Demhasaj nga organizata “Çohu” e ka përmendur rishikimin e Ligjit për financimin e partive politike.
Kurse Arbëresha Loxha nga organizata GLPS, ka thënë se sistemi i drejtësisë në Kosovë vazhdon të mbetet “thembra e Akilit”.