Me vija të kuqe PDK-në e forcuan
Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për deputet në zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit, Lulzim Shoshi, ka treguar arsyet pse ka vendosur t’i hyjë kësaj sfide. Ai ka shprehur optimizëm se do t’ia arrijë qëllimit që t’i mbrojë interesat e qytetarëve të Istogut në Kuvendin e Kosovës.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Shoshi ka bërë me dije se vijat e kuqe që ia kanë vënë partitë e tjera PDK-së, këtë parti e kanë bërë më të fortë. “Subjektet e tjera politike, në pamundësi që ta mundin PDK-në në zgjedhje, po deklarojnë se i kanë vendosur vija të kuqe kësaj partie, duke menduar se do të fitojnë ndonjë votë më shumë. Mirëpo kjo neve na ka bërë edhe më të fortë, jemi organizuar më shumë që fitorja jonë më 6 tetor të jetë më bindëse”, ka thënë ai.
Shoshi ka treguar se subjektet e tjera politike vijat e kuqe ndaj PDK-së i vendosin vetëm gjatë fushatës zgjedhore. “Këto partitë që vendosin vija të kuqe tashmë jemi dëshmitarë të gjithë se si në të kaluarën i kanë ndërruar ato qëndrime pas zgjedhjeve”, është shprehur Shoshi.
Më tej, ai ka treguar për frymën që është krijuar te simpatizantët e PDK-së dhe qytetarët e Kosovës. “Jo vetëm kandidatët dhe simpatizantët e PDK-së, por edhe qytetarët e Kosovës e kanë kuptuar tashmë se PDK-ja do të jetë fituese e zgjedhjeve të 6 tetorit. Zotimet që i ka bërë z. Veseli për punët që do t’i bëjë si kryeministër i ardhshëm dhe lista me emra të dëshmuar, kanë krijuar frymën pozitive që PDK-ja të jetë fituese në këto zgjedhje”, është shprehur ai, duke shtuar se të gjithë qytetarët e kanë kuptuar se proceset e mëdha të Kosovës mund të kryhen vetëm me qeverisjen e PDK-së.
“Epoka e re”: Z. Shoshi, pse vendoset të bëheni pjesë e listës së PDK-së për deputetë?
Shoshi: Së pari për mua është nder i madh të jem pjesë e listës së kandidatëve të PDK-së për deputetë. Vendimi për t’u bërë pjesë e kësaj liste ka qenë i përbashkët me Degën e PDK-së në Istog dhe më pas, me pëlqimin e tij, lideri i PDK-së, z. Veseli, na nderoj që të jem pjesë e listës fituese të zgjedhjeve të 6 tetorit. E falënderoj përzemërsisht Degën e PDK-së në Istog si dhe Kryesinë e PDK-së për besimin e dhënë. E kam parë të rrugës dhe të nevojshme që qytetarët e Istogut duhet të përfaqësohen denjësisht në Kuvendin e Kosovës, andaj kam vendosur t’i futem kësaj sfide.
“Epoka e re”: Ju për herë të parë i keni hyrë garës për deputet. Sa jeni optimist që do t’ia arrini këtij qëllimi?
Shoshi: Jam shumë optimist se do t’ia arrij këtij qëllimi, sepse do ta kem mbështetjen jo vetëm të elektoratit të PDK-së në Istog, por edhe të gjithë qytetarëve të kësaj komune. Qytetarët e kësaj komune e dinë se PDK-ja dhe aktorët brenda PDK-së ishin çdoherë afër qytetarëve si në kohë lufte, po ashtu edhe në kohë çlirimi dhe shtetndërtimi. Në qeverisjen e PDK-së u shtruan me mijëra kilometra autostradë, ku shumë fshatra të Istogut u bënë me infrastrukturë rrugore, kanalizime dhe ujësjellës.
“Epoka e re”: Pse duhet t’ju votojnë për deputet. Me çfarë zotime do ta kërkoni besimin e tyre?
Shoshi: Premtimet e mia janë edhe ato të kryetarit Veseli, sepse ai ka dhënë një shembull të mirë, ku për herë të parë ka vendosur një standard në politikë, duke mos vendosur në listë njerëz me akuza për korrupsion. Ne tashmë vetëm kemi filluar së bashku me Degën e PDK-së në Istog t’i shpalosim planet tona dhe të partisë nëpër takime të ndryshme. Do të takohem me gjithsecilin për të bashkëbiseduar nga afër rreth kërkesave dhe mundësive që kemi për të bërë më të mirën për vendin tonë.
“Epoka e re”: Çka ju bën më të veçantë se të tjerët në listën e PDK-së?
Shoshi: Nuk është e lehtë të them se çka më bën mua të veçantë në këtë listë, sepse lista e PDK-së përbëhet nga emra të dëshmuar gjatë luftës dhe tash në paqe. Qytetarët e Istogut mua ma njohin për punën që e kam bërë gjatë këtyre viteve. Duke qenë asamblisti më i votuar i PDK-së në këtë komunë, gjatë kësaj kohe i kam mbrojtur interesat e tyre. Gjithashtu, që një vit e gjysmë në Komunën e Istogut jam drejtor i Bujqësisë, ku kam dhënë shembull të mirë se si qeveriset me transparencë, duke qenë i përgjegjshëm dhe pa asnjë aferë korruptive.
“Epoka e re”: Cilat janë pritjet tuaja për PDK-në më 6 tetor?
Shoshi: Jo vetëm kandidatët dhe simpatizantët e PDK-së, por edhe qytetarët e Kosovës e kanë kuptuar tashmë se PDK-ja do të jetë fituese e zgjedhjeve të 6 tetorit. Zotimet që i ka bërë z. Veseli për punët që do t’i bëjë si kryeministër i ardhshëm dhe lista me emra të dëshmuar, kanë krijuar frymën pozitive që PDK-ja të jetë fituese e padiskutueshme në këto zgjedhje. Mendoj se të gjithë qytetarët e kanë kuptuar se proceset e mëdha të Kosovës mund të kryhen vetëm me qeverisjen e PDK-së të udhëhequr nga z. Veseli.
“Epoka e re”: Deri më tani shumica e partive politike ia kanë vënë vijat e kuqe PDK-së. Si po e pret elektorati këtë veprim?
Shoshi: Subjektet e tjera politike, në pamundësi që ta mundin PDK-në në zgjedhje, po deklarojnë se i kanë vënë vija të kuqe kësaj partie, duke menduar se do të fitojnë ndonjë votë më shumë. Mirëpo kjo neve na ka bërë edhe më të fortë, jemi organizuar më shumë që fitorja jonë më 6 tetor të jetë më bindëse. Kurse partitë që vendosin vija të kuqe tashmë jemi dëshmitare se si në të kaluarën i kanë ndërruar ato qëndrime pas zgjedhjeve.
“Epoka e re”: Një nga partitë që i ka vënë vija të kuqe PDK-së është LDK-ja, me të cilën ju jeni në bashkëqeverisje në Komunën e Istogut. A është e mundshme të përsëritet bashkëqeverisja në mes të këtyre subjekteve pas zgjedhjeve?
Shoshi: Të gjithë i dimë qëndrimet e LDK-së në vitin 2014, ku secili zyrtar i saj deklaronte se nuk do të bëjnë kurrë koalicion me PDK-në, kurse në fund ndryshuan qëndrimet dhe u bënë bashkë me ne. Nuk i marrim shumë serioze këto qëndrime të tyre sepse këto bëhen më shumë për fushatë.
“Epoka e re”: Pra, mendoni se është i mundshëm koalicioni PDK-LDK?
Shoshi: Z. Veseli me kohë e ka thënë se PDK-ja nuk ka vija të kuqe me partitë politike shqiptare. Ne vija të kuqe kemi vetëm ndaj Serbisë. Pas zgjedhjeve të 6 tetorit, pra pas fitores së PDK-së, kryetari z. Veseli dhe organet drejtuese të partisë do të vendosin se me kë do ta formojmë qeverinë e ardhshme.
Muhamet KOCI