![](https://www.epokaere.com/wp-content/uploads/2025/02/IMG_0836.webp)
“Më vjen keq për kryetarin e PS që s’do jemi bashkë në betejën elektorale”, Veliaj nga paraburgimi
Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, ka reaguar përmes një postimi të gjatë në Facebook, pas arrestimit të tij me urdhër të SPAK mesditën e sotme, duke mohuar akuzat.
Veliaj shpreh keqardhje që nuk do të jetë krah kolegëve dhe kryetarit të partisë në fushatën elektorale.
“Më vjen keq për të gjithë bashkëpunëtorët, kolegët, punonjësit e Bashkisë së Tiranës dhe dua ta dinë që nuk kam unë asnjë lidhje me idiotësitë e shkruara në paçavuren fatkeqësisht të sigluar edhe nga Altin Dumani.
Më vjen keq për motrat dhe vëllezërit e Partisë Socialiste dhe për kryetarin, që pas kaq vitesh beteja të përbashkëta elektorale, nëse nuk do të më ketë në krah këtë fushatë, siç duket gjasat, përderisa më fusin në burg pa gjyq 3 muaj para zgjedhjeve. U them të gjithëve atë që i kam thënë kryetarit dhe kujt tjetër më ka pyetur: Nuk kemi asnjë lidhje unë dhe familja ime me fjalën korrupsion.
Kjo historia jonë është aq tragjikomike sa njerëzit s’do ta besojnë kur t’i dëgjojnë të zbërthyera një e nga një, idiotësitë e asaj akuze. Nuk do të jetë e lehtë, se në këto kushte nuk shpjegohesh dot si do dhe sa do, por kam një besim të madh se e vërteta është më e fortë se sa çdo mur dhe se sa çdo idiot që i bëhet asaj barrikadë duke abuzuar me pushtetin e drejtësisë”, është shprehur Veliaj.