Me Vuçiqin kam raporte korrekte dhe miqësore
Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç, ka thënë se marrëdhëniet e tij me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç janë shumë të drejta dhe miqësore.
Në një intervistë për gazetën malazeze Vijesti, ai ka pohuar edhe se refuzon t’i trajtojë si përmbajtësore kritikat se presidenti serb përfshihet dhe influencon politikën në Mal të Zi.
“Vazhdimisht jam i sulmuar se Vuçiç po menaxhon diçka këtu, këto gjëra i refuzoj, i konsideroj joserioze”, deklaroi Abazoviç.
“Marrëdhënia ime me Vuçiqin është shumë korrekte dhe miqësore”, tha ai.
Por, shtoi se kjo nuk nënkupton se me lider të tjerë në rajon nuk ka raporte të njëjta.
“Nuk kam mungesë komunikimi me asnjë kryeministër apo president në rajon”, pohoi.
“A na pëlqen ndonjë opsion politik në rajon apo jo, nuk është çështja jonë dhe nuk është çështje e qytetarëve tanë. Ne kemi pushtet sovran, i respektojmë të tjerët, në të njëjtën mënyrë dhe kaq. E gjithë kjo bisedë për Vuçiç-in është në kontekstin e krijimit të një narrative politike negative në raport me mua personalisht. Më vjen mirë që me të, me kryeministrin e Shqipërisë, të Kosovës dhe me kryetarin e Këshillit të Bosnjë-Hercegovinës kemi marrëdhënie që duhet të ketë çdo kryeministër i Malit të Zi”.
Abazoviç shtoi se sa i përket Vuçiç-it, “mendoj se perceptimi i ndikimit të tij në Mal të Zi është i mbivlerësuar”.
“Dhe mendoj se me një marrëdhënie të tillë ne krijojmë një mjedis më të favorshëm për atë që po flisni. Dua të jem i drejtë, mendoj se duhet të flasim faktikisht dhe jo për atë që është perceptimi ynë. Kur bëhet fjalë për skenën mediatike, problemi janë ligjet dhe rregulloret tona të medias. Nëse dikush dëshiron të thotë se duhet të kemi marrëdhënie të këqija me Republikën e Serbisë, vetëm pse nuk i shkon për shtat Milo Gjukanoviç-it, unë nuk e pranoj këtë si një gjë të mirë për Malin e Zi”.
“Synimi ynë është që të kemi marrëdhënie sa më të mira me fqinjët tanë, kjo vlen për të gjithë fqinjët. Fqinjët tanë janë konstante dhe e vetmja gjë që ndryshon është menaxhimi i marrëdhënieve me ta”.
“Gjithmonë do të keni shtete fqinje Shqipërinë, Serbinë, Kosovën, Bosnje-Hercegovinën, Kroacinë… E vetmja gjë që mund të ndikojmë janë marrëdhëniet me ato vende. Nëse do të ndërtojmë mure, do të jemi në konflikt të vazhdueshëm dhe do të kemi frikë nga njëri-tjetri, ky është një koncept. Nëse do të zhvillojmë bashkëpunim, kemi marrëdhënie liberale, bëjmë projekte të përbashkëta infrastrukturore dhe lidhemi, unë personalisht zgjedh këtë të fundit. Është një marrëdhënie që nuk ka të bëjë me dikë që është personalisht në pushtet”.
Sa i përket partisë së tij URA, Abazoviç thotë se nuk u beson shumë sondazheve të fundit që e nxjerrin atë në vetë, 4.4 për qind, një rënie nga mbi 5 për qind sa kishte mbërritur në zgjedhjet e fundit.
“Nuk jam i sigurt që ka rënë vlerësimi i URA-s, do të shohim se çfarë do të ndodhë në zgjedhje. URA kishte 5.5 për qind në 2020, por që ishin vendimtare. Në të gjitha zgjedhjet lokale që janë mbajtur deri tani, URA është rritur, herë rritje e vogël, herë shumë e dukshme. Ajo mori një kryetar bashkie. Pra edhe pas këtyre zgjedhjeve të fundit vendore janë 11 këshilltarë më shumë se në periudhën e kaluar. URA është i vetmi subjekt, duke numëruar të gjitha këto subjekte të mëdha, i cili ka qenë objektiv i të gjitha sulmeve të mundshme për dy vite radhazi, si subjekte vendase ashtu edhe rajonale. Dhe pas gjithë asaj që ju keni një rritje që ndoshta mund të jetë më e madhe, unë e konsideroj vërtet një rezistencë dhe këmbëngulje të madhe të subjektit që përfaqësoj. URA është i vetmi subjekt që mori përgjegjësinë, që pas partisë DPS ia dha kryeministrin Malit të Zi”, deklaroi kryeministri malazez.