Me Zahirin filluam bashkë gjithçka e do të doja të vazhdojmë bashkë duke e pasur në krah deri në pavdekësi

30 janar 2022 | 18:56

Shkruan: Isak Shabani

Janari për shqiptarët liridashës nuk është vetëm muaji i acartë por edhe muaji ku shumë atdhetarë njomën tokën e robëruar me gjakun e tyre, sikur donin të thonë e të vërtetojnë se me gjakun tonë të valë atdhetarë e çlirimtarë, ne shkrijmë akujt e stinës e të pushtimit sa herë që ato ngrijnë rrugët e lirisë së popullit e të Atdheut tanë.

Nuk kishte vështirësi që mund të ndalonte hovin liridashës të burrave e të grave që jetën e tyre kishin bërë një më Atdhenë, që gjakun e tyre e kishin bërë gjak të tokës mëmë për t’ia dhënë asaj sa herë që kishte nevojë.

Me 31 Janar 1997 Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha e Hakif Zejnullahu ishin ata që shkrinë akujt e janarit, që ushqyen tokën mëmë më gjakun e tyre çlirimtarë, që i dhanë jetë e krahë idealit për liri me rënien e tyre heroike në shërbim të luftës çlirimtare.

Ata bënë të pamundurën realitet sepse e pamundura nuk ekzistonte për ata. Ngritën një popull të shtypur kundër shtypjes e robërisë, e brumosen me guxim për të luftuar e për të mos u dorëzuar duke mbjellë në zemrën e gjithsecilit shpresën se ne mundemi. Ata na ngulitën thellë bindjen se asnjë pushtues nuk është aq i fuqishëm sa për të shuar zjarrin liridashës e çlirimtar tek një popull që di ta dojë e ta çmoj vetën e tij duke e mohuar robërinë.

Zahiri, Edmondi dhe Hakifi, vërtetë u bënë pishtarë të parë të lirisë, por më shumë se kaq ata u bënë shembull se si duhet të jetohet e të vdiset për Atdhe e për Komb. Ata u bënë jo vetëm heronjë por edhe prijës e motivues shpirtërorë që pas rënies vazhduan të luftojnë në kraharorin e secilit luftëtarë trim e të paepur. Ata e kthyen vdekjen në jetë, sepse vdekja u mposht kur u mposht robëria, kur marshi triumfal i UÇK-së së lavdishme nuk e ndaloj hapin e tij deri në ditën e çlirimit duke hapëruar bashk me idealin që mbollën këta vigaj të lirisë.

E madhe ishte humbja që pësuam atë ditë të rëndë janari më rënien e tyre, të këtyre kolosëve të UÇK-së. Aq e madhe sa në rrethana normale do të ishte vështirë të përballohej e të ndodhte ringritja, por ata na ringritën vet, sepse ata na mësuan se ligështimi dhe dorëzimi nuk janë zgjidhje, sidomos jo për luftëtarët. Ata na mësuan se për njerëzit nuk është nënshtrimi, ai është për zvarranikët, e neve si çlirimtarë nuk na kishte hije të tërhiqeshim zvarrë por të mbanim kokën lart, sado që pesha e humbjes dhe e dhimbjes që ndjenim domosdo na godiste pamëshirë. Sa krenari të kesh shokë të atij niveli. Të tillë që edhe dhimbjen ta bëjnë krenare.

Dhimbja është njerëzore, dhe ajo ishte dhe është akoma e madhe por akoma më e fuqishme ishte dhe është porosia që ata na dhanë me aktin e tyre të flijimit, se vdekja nuk është fundi kur idealit për liri, për komb e për shtet të prosperuar i jep jetë e krah fluturimi. Ata na motivuan dje në luftë e në burgje përmes kësaj porosie, e na motivojnë edhe sot në liri me të njëjtën fuqi ndikimi.

Si shok e bashkëluftëtar, asnjëherë smë është shqitur dhimbja, as krenaria, por sidomos amaneti që Atdheu është mbi të gjitha. Me Zahirin filluam bashkë gjithçka e do të doja të vazhdojmë bashkë duke e patur në krah, por s’dua t’i kërkoj të lërë përjetësinë e tij e të zbres  në nivelin e ne të vdekshmëve. Nuk jam aq egoist sa të ia kërkoj atë, por ama as ai s’do të më largohet asnjëherë nga unë. Sa të jem gjallë në të gjitha veprimet e mia do ta kem në mendje e në zemër dhe para çdo vendimi do ta kërkoj e do ta respektoj me fanatizëm këshillën e tij.

LAVDI

(Isak Shabani është ish-bashkëluftëtar i Zahir Pajazitit, ish i burgosur politik e përjetues i masakrës në Burgun e Dubravës).

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Refuzimi i Gjermanisë për të dërguar armë në Ukrainë ka…