Meço: E du Kosovën se ka artistë, krijues, sportistë, pa të cilët skena kulturore e sportive shqiptare do kish qenë e mangët
Shkruan: Sonila Meço
Unë e du fort Kosovën dhe ndjenja nuk është tkurr e as zhubravit nga çfarëdolloj përpjekjeje e mbrapshtë politike me kriju perceptimin se s’dimë me bashkëjetu, me tejkalu ambicje pushtetesh n’emër të një kauze më sublime.
E du Kosovën, se ka dit me na dash, pastër e dlirë. Na ka pa n’dritë t’synit e na ka dëshiru t’mirën jet e mot. E du se kam miq, farë e fis atyre anëve shqiptare, kam kujtime e pjesë të zemrës. E du se ka dit me rezistu në kauzat e veta, denjësisht. E du se ka dit’ me u rrit pa i djeg etapat, duke e përjetu lirinë e demokracinë me ritmin e tretjes së një “stomaku” në krijim, por të shëndetshëm, pa helmu veten, pa hidhnu fqinjin, pa e ndotur historinë, pa e vra shpresën.
E du Kosovën se ka artistë, krijues, sportistë, pa të cilët skena kulturore e sportive shqiptare do kish qenë e mangët.
E du Kosovën se është kokfortë me e rujt veten nga agresioni i fqinjit e ambicja e t’vetit.
Dhe me e dash Kosovën do të thotë me mos e ndje kufinin përmidis, mos me e llogarit at’vijë ndarëse, me fshi mençurisht dasitë e imponuara e me rrëzu çdo barrierë kulturore, artistike, arsimore e mediatike.
Si sonte, mbrëmja historike e lindjes së një feste muzike e arti, mu n’zemër t’Prishtinës, nën bashkëprezantimin e dy ikonave shqiptare televizive Adi Krasta e Besim Dina.
Festivali i Parë i këngës në Kosovë është ngjarje e madhe për vendin e 15 viteve pavarësi, me fantazmat e luftës, që ende kuturisen kokëkrisura me “nostalgjinë” e një të shkuare të pakthyeshme, për një publik mbarë kombëtar, që veç n’hartë duhet me qenë i ndarë.
Çfarë feste për shqiptarinë dhe aftësinë e jashtëzakonshme të ripërtëritjes shpirtërore të Kosovës sime, tonës!❤️