Medalistët e Evropianit priten nga kryetari i Pejës

21 prill 2021 | 15:07

Ekipi i xhudos pas suksesit të madh që e arriti në Lisbonë të Portugalisë, të mërkurën është pritur nga kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri.

“Medalistët e Evropianit u pritën nga i pari i Komunës së qytetit të Pejës Gazmend Muhaxheri! Biseduam për avancimin e infrastrukturës  së sportit të xhudos në qytetin tonë. Peja qyteti me Kampione Olimpike meriton të bëhet edhe qendër sportive me impakt te fuqishëm edhe për turizmin sportiv”, ka shkruar Kukan në profilin e vet në “Facebook”.

Ndërsa kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri është shprehur i kënaqur që ka takuar përfaqësuesit e ekipit të xhudos, të cilët i ka vlerësuar si ambasadorët më të mirë.

“Sot me kënaqësi kam pritur ekipin përfaqësues të xhudos dhe ambasadorët tanë më të mirë, që në fundjavë dolën të parët në Evropianin e mbajtur në Portugali. Kënaqësi e veçantë ta shohim Kosovën të renditur në mesin e 45 shteteve të Evropës, ku kampionë dolën Distria Krasniqi e Akil Gjakova, kurse e bronztë përfundoi Nora Gjakova dhe vendet e pesta i zunë Laura Fazliu e Loriana Kuka. Padyshim që Peja është një qytet me histori dhe traditë!”, ka shkruar Muhaxheri.

Distria Krasniqi dhe Akil Gjakova kanë fituar medaljet e arta, derisa Nora Gjakova e ka fituar medaljen e bronztë.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gjatë 24 orëve të fundit, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare…