Medalje e merituar

19 shkurt 2025 | 11:30

Presidentja e Kosovës Dr. Vjosa Osmani – Sadriu nderon me Medalje presidenciale të Meritave Technische Universität Bergakademie- Freiberg nga Gjermania.
Shkruar nga Prof. Naim Syla- departamenti i Fizikës, FSHMN i UP.
Për nder të ditës së Pavarësisë së shtetit tonë, dje me datë 18.02.2025, në një ambient festiv dhe të përgatitur për lakmi, presidentja jonë Dr. Vjosa Osmani – Sadriu ndau Medalje presidenciale të Meritave për Technische Universität Bergakademie nga Freibergu (TUBF)- Gjermani. Edhe pse, ka kohë që projektet me këtë Universitet janë përfunduar, duke parë vëllimin e punëve që kanë ndodhur për 17 vite bashkëpunim, Presidentja vendosi të respektoj dhe nderoj këtë Universitet. Me këtë rast, presidentja nderoi në veçanti të gjithë stafin akademikë e studentët që përfituan nga ky bashkëpunim (e të cilit nuk ishin pak) dhe në përgjithësi shtetin e Kosovës. Në vijim do të paraqes shkurtimisht në vija të trasha vetëm aktivitetet kryesore të cilat ndërlidhen ndërmjet Universiteti i Freibergut dhe atij të Prishtinës. Këtë e them, sepse vëllimi i aktiviteteve ishte shumë më i madh, pasi që ato janë zhvilluar me të gjitha Universitetet shqipfolëse të regjionit në të cilat mësohet Shkenca dhe Teknologjia e Materialeve.
Technische Universität Bergakademie, Friberg, me të përfunduar lufta në Kosovë (Nëntor 1999), dërgon përfaqësuesin e vet, Prof. Dr.-Ing. habil.dr.h.c. Heinrich Oettel, që bashkërisht me përfaqësuesin e HRK-së (Konferenca e Rektorëve të Gjermanisë), të analizoj situatën në Universitetin e Prishtinës dhe të propozojnë mënyrat e mbështetjes për rimëkëmbje të universitetit tonë. Me këtë rast, ky delegacion propozon që Universiteti i Prishtinës të mbështet në ngritje të kapaciteteve laboratorike dhe akademike. Mbështetur në këtë propozim, TUBF, në periudhën 1999-2016, ka ndihmuar dhe ka qenë promotori kryesor i këtyre aktiviteteve:
– Ndërtimi dhe hapja e Laboratorit qendror të Universitetit të Prishtinës në vitin 2003 (Pajisje mbi 450000 Euro). Pas disa viteve strukturat e UP vendosen që pajisjet në këtë laborator të ndahen ndërmjet tri fakulteteve: FXM (Mitrovicë), FSHMN dhe FIM.
– Formimi i Rrjetit të bashkëpunimit “Shkenca dhe Teknologjia e Materialeve” (NMST), në vitin 2003. Anëtarë të Rrjetit: Universiteti i Prishtinës, Universiteti Politeknik i Tiranës dhe TUBF. Në vitin 2005, në Tetovë ri konfirmohet marrëveshja e bashkëpunimit në rrjet dhe me këtë rast rrjetit i bashkëngjiten edhe Universitet e Tetovës, Elbasanit, Vlorës dhe Tiranës.
– TUBF mbështeti dhe organizoi hulumtime shkencore në laboratorët e vetë duke siguruar edhe udhëheqësin e hulumtimit për këto nivele: 6 doktorata (Hamit Mehmeti, Mursel Rama dhe Rrahim Maksuti nga FXM, UP; Naim Syla, Shukri Klinaku, Fisnik Aliaj nga FSHMN, UP); 14 magjistratura (Naim Syla, Shukri Klinaku, Fisnik Aliaj, Labinot Kastrati, Milazim Zogaj nga FSHMN, UP dhe Mursel Rama, Muharrem Zabeli, Shefik Imeri, Ibrahim Krasniqi, Abdylaqim Ademi, Ejup Latifi, Nazif Jashari, Rrahman Aliti, Mahi Latifi nga FXM, UP); 4 punime diplome të niveli bachelor (Sebahate Jonuzaj, Valmire Sejdiu, Shyqeri Mjeku, Avni Beqiri nga FXM, UP); 86 studentë (nga FXM, FSHMN dhe FIM të UP-së) përfunduan praktikën profesionale (përafërsisht 540 h mësimore).
– Me qëllim të ngritjes së kualitetit në UP dhe në universitetet tjera shqipfolëse në regjion, nën organizmin e TUBF-së u organizuan edhe këto aktivitete:
– mbi 11 ligjërata të profesorëve mysafirë nga TUBF (mbi 500 h);
– 20 mësimdhënës universitarë nga regjioni (kryesisht nga FXM, FSHMN dhe FIM të UP së) qëndruan në vizitë të shkurtë studimore në TUBF;
– 6 simpoziume në fushën e shkencës së materialeve (referimet kryesore ishin nga hulumtuesit e rinj që qëndruan në TUBF);
– 10 punëtori me temë nga fusha e materialeve;
– 11 shkolla verore me kohëzgjatja nga 2 javë;
TUBF ndihmoi edhe në përpilimin e materialeve për mësimdhënie dhe materialeve didaktike: – Skripta “Fizika e trupit të ngurtë” dhe Skripta “Analiza e Strukturës – Rëntgenografia“.

Prof. H. Oettel duke pranuar Medaljen nga Presidentja Osmani

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sot (e mërkurë) janë në program për t’u zhvilluar katër…