Medalje të tjera në botërorin e atletikës
Dita e 6 e Botërorit të Atletikës në Doha solli medalje të tjera. Kështu në hedhjen e çekiçit për meshkuj medalja e artë u fitua nga polaku Fajdek me 80.50 m duke lënë në vendin e dytë francezin Bigot me 78.19 m, ndërsa në vendin e tretë u rendit hungarezi Halasz me 78.18 m.
Në garën e 200 m për femra, Dina Asher Smith i dha fund pritjes 36-vjeçare të atletikës britanike duke u shpallur kampione e botës në këtë disiplinë të cilën e fitoi me 21.88 sekonda që përbën edhe një rekord për Britaninë. Në vendin e dytë u rendit Brittany Brown, ndërsa medaljen e bronztë e fitoi zvicerania Kambundji. Në 110 m me pengesa për meshkuj, medaljen e artë e fitoi amerikani Grant Holloway me 13.10 sekonda, i ndjekur në vendin e dytë nga sportisti rus që garon me flamur neutral, Shubenkov dhe në të tretin nga Martinot-Lagarde.
Pas ditës së 6, tabela e medaljeve vazhdon të kryesohet nga ShBA-ja me 8 medalje ari, 8 argjendi dhe 2 të bronzta, e ndjekur nga Kina me 2 medalje të arta, 3 të argjendta e 3 të bronzta, ndërsa vendi i tretë vazhdon të mbahet nga Xhamajka me 2 medalje të arta dhe 2 të argjendta.