Mediat botërore godasin “nobelistin” Peter Handke?
“Ai kishte thënë publikisht se myslimanët e Sarajevës e kishin masakruar veten e tyre dhe pastaj kishin fajësuar serbët”.
Akademia Suedeze vendosi që t’ua ndajë çmimet Nobel për Letërsi dy personaliteteve të njohura në botën e shkronjave.
Vendimi për ta shpërblyer shkrimtaren polake Olga Tokarczuk u mirëprit. Ndërsa vendimi për t’ia ndarë këtë çmim autorit austriak, Peter Handke, ngjalli reagime të shumta nëpër botë, shkruan Klan Kosova.
Kjo për shkak se shkrimtari Peter Handke nuk e kishte fshehur simpatinë që ka pasur për ish-presidentin serb, Sllobodan Millosheviq (i njohur si Kasapi i Ballkanit).
Madje Handke kishte qenë edhe në funeralin e Millosheviqit, ku kishte mbajtur një fjalim të shkurtër.
“Jam i lumtur të jem afër Sllobodan Millosheviqit, që mbrojti popullin e tij” kishte thënë ai në Sheshin e Lirisë në Pozharevc.
Përveç reagimeve që ngjalli në Kosovë, kjo ngjarje nuk iu shpëtoi as mediave ndërkombëtare.
Korporata Britanike e Transmetimeve, BBC News, e quan shkrimtarin Handke një figurë kontroverse i cili e mbështeti regjimin serb për luftërat Jugosllave gjatë viteve 1990.
Shoqata e Shkrimtarëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka dalë me një komunikatë përmes së cilës ka kritikuar dhënien e çmimit Nobel për Letërsi, shkrimtarit Peter Handken.
“PEN Amerikan, përgjithësisht nuk i komenton çmimet për letërsi që i japin institucionet e tjera. Ne e dimë që këto vendime janë subjektive dhe kriteret nuk janë uniforme. Megjithatë, kjo deklaratë për dhënien e çmimit Nobel për Peter Handke duhet të jetë një përjashtim”.
Gazeta e përditshme britanike, The Guardian, shkruan se trashëgimia sllovene i kishte ngjallur dramaturgut austriak një nacionalizëm të zjarrtë për luftërat në Ballkan.
“Ai kishte thënë publikisht se myslimanët e Sarajevës e kishin masakruar veten e tyre dhe pastaj kishin fajësuar serbët. Ai gjithashtu kishte marrë pjesë në funeralin e kriminelit Sllobodan Millosheviq”.
Ndërsa gazeta online, The Intercept, e cila synon t’i mbajë përgjegjëse qeveritë dhe korporatat nëpër botë, e ka uruar Komitetin Nobel për vendimin e marrë duke thënë se “ju vetëm sapo i dhatë Çmimin për Letërsi një mbështetësi të gjenocidit”.