MEDIAT DHE POLITIKA: Sëmundjet dhe skleroza në shërbim të mediave të pushtetit
Gëzim Mekuli
E përdorën edhe sëmundjen e bacës Adem për të ndërtuar një fotografi retorike.
Gazetaria jonë e keqe nuk tregoi as më të voglin respekt për bacën fatkeq; gazetarucët tanë harruan etikën dhe mënyrën se si duhet prezantuar i sëmuri në media. Përdorimi i të sëmurëve, të dobëtëve dhe i njerëzve që nuk mund të flasin, e as të mendojnë qartë e në mënyrë të pavarur, është e ndaluar nga kodi i etikës profesionale të gazetarisë.
Baca Adem, sot, për shkak të sëmundjes kronike që ka, nuk mund ta formuloj asnjë fjalë. Ai ka sklerozë të shkallës së rëndë dhe humbet nga mbamendja. Shikoni raportet mjekësore!
Mediat e pushtetit nuk u lodhen fare për ta ngushëlluar dhe për ta nderuar e respektuar familjen e bacës së sëmurë. Nuk u tregua e nuk u shfaq kujdes edhe në paraqitjen jodinjitoze të heroit të kombit shqiptar, Adem Demaçi. Si është e mundur që në gazetarinë tonë, më e etshme të jetë vrapi pas fotografisë së çoroditur politike, sesa ndaj kritikës dhe ndihmës që kjo gazetari duhet t’i vijë në ndihmë këtyre njerëzve e këtij populli.
Publikimi i fotografisë politike, të Adem Demaçit të sëmurë – e të pagojë, me flamurin e Ahtisarit, është instrumenalizim dhe ofendim për personalitetin dhe për familjen e tij. Manipulimi i politikës me ndjenjat e personave të sëmurë është edhe vepër penale.
Nuk lejohet shfrytëzimi i njerëzve me aftësi të kufizuara psiko-fizike për të arritur ndikime propagandistike, qoftë kjo në politikë, në kulturë apo në ekonomi.
Fotografia politike nuk u ndal t’i analizoj rrethanat sociale, psikologjike e shëndetësore të Adem Demaçit. Nuk pamë e nuk lexuam për raportet mjekësore të gjendjes psikike e shëndetësore të tij.
Menduan mediat se çfarë pasojash ka shfaqja e një fotografie të tillë? U mendua nëse fotografia e bacës, me pushtetin e me flamurin e Ahtisarit, i lansuar me pompë, është i vlefshëm dhe i dobishëm? Çfarë pasojash ka fotografia për familjen e tij, për lexuesin, dëgjuesin dhe shikuesin? Po për gazetarinë e mediat në përgjithësi?
Në fotografinë e shpejtë mediatike mbi rastin e 17 shkurtit, e me bacën e gjorë të përdorur, u vërejt një mungesë e thellë e empatisë.
Është e dhimbshme dhe njëkohësisht tragjike se si një grup i madh i gazetarëve treguan paaftësi për ta futur veten në jetën dhe ndjenjat e të tjerëve. Kjo mungesë e empatisë ka themelin dhe fillimin në vrapin pas parasë, etjen për vëmendshmëri, status, garë për të përfituar më shumë lexues e më shumë konsumues dhe, kështu, natyrisht, sigurimin e parave nga fitimi i reklamave. Krim dhe poshtërsi!
Etika profesionale e gazetarisë shqiptare, në anën praktike, siç duket ka shumë pak hapësirë për empati. Detyrë e parë e gazetarit dhe gazetares është të tregohet respekt për njeriun, veçanërisht për fëmijët dhe grupet e dobëta të shoqërisë sonë dhe të sëmurit psikik.
Secili nga ne ka dinjitetin, unin dhe personalitetin vetjak. Andaj edhe kjo, nga mediebërësit tanë, duhet medoemos respektuar.
Ku është AGPK? Përse nuk reagon kjo organizatë e gazetarëve për shkeljen e dinjitetit të njeriut nga pushteti dhe nga
Mediat e kazanit të pushtetit?