Mediat kërkojnë ndihmën e qeverisë
Asociacioni i Mediave të Pavarura Eelektronike në Kosovë ka kërkuar ndihmën e Qeverisë së Kosovës pas lansimit të masave qeveritare për parandalimin dhe luftimin e virusit Covid 19. Sipas Asociacionit, vendimi për pezullimin e disa aktiviteteve ekonomike të bizneseve kosovare po ndikon keq në kapacitetet financiare dhe operacionale të mediave të licencuara në Kosovë. “Sektori i mediave është vënë në sprovë të jashtëzakonshme. Vetëm gjatë këtyre ditëve mediat kanë pranuar njoftime të konsiderueshme nga operatorët ekonomikë për pezullimin e kontratave të marketingut deri në normalizimin e gjendjes në vend”, thuhet në njoftimin e Asociacionit të Mediave të Pavarura Elektronike.
Ky është njoftimi i plotë:
Me lansimin e masave qeveritare për parandalimin dhe luftimin e virusit COVID 19, vendimi për pezullimin e disa aktiviteteve ekonomike të bizneseve kosovare po ndikon keq në kapacitetet financiare dhe operacionale të mediave të licencuara në Kosovë. Sektori i mediave është vënë në sprovë të jashtëzakonshme.
Vetëm gjatë këtyre ditëve mediat kanë pranuar njoftime të konsiderueshme nga operatorët ekonomikë, për pezullimin e kontratave të marketingut deri në normalizimin e gjendjes në vend.
Ky trend do të dëmtojë dukshëm buxhetet e mediave. Kështu ato do të pamundësohen që të ofrojnë shërbim publik të informimit, i cili është më se i nevojshëm në këto situata të jashtëzakonshme, kur duhen informata të sakta, të besueshme dhe gazetari profesionale.
Andaj për të diskutuar për këto probleme dhe për të parë mundësinë e tejkalimit të kësaj situate, përfaqësues të AMPEK-ut janë takuar me zv/kryeministrin Haki Abazi.
Një listë me disa kërkesa i është dorëzuar qeverisë, mes të tjerash edhe:
- Moratorium/ngrirje e menjëhershme e obligimeve kreditore. Pagesat të shtyhen për një periudhë deri në 3 muaj.
- Moratorium/ngrirje e obligimeve ndaj shtetit për një periudhë deri në 3 muaj dhe si dhe disa kërkesa më specifike për industrinë e medias të cilat do të publikohen gjatë ditëve në vijim