Mediat kolumbiane: Krimi i organizuar shqiptar po lë gjurmë në Ekuador
Mediat në Kolumbi kanë ngritur alarmin për shkak të rrezikut nga krimi i organizuar ku një rol duket se luajnë edhe bandat shqiptare.
“Asnjë dritë nuk shihet në fundin e spirales së dhunës në Ekuador”. Kështu nis artikulli i medias vendase e cila thekson se prania e sasive të mëdha të kokainës nënkupton më shumë para dhe më shumë armë për bandat. Nga ana tjetër qeveria e fokusuar në kontrollin e pandemisë së COVID nuk ka arritur të përmbajë përshkallëzimin e konflikteve veçanërisht në sistemimin e mbipopulluar të burgjeve.
Ashtu si në Kolumbi dhe Venezuelë, gjurma e krimit të organizuar në Ekuador mbetet e vështirë të përcaktohet. Më muajin mars disa agjentë të ushtrisë folën për 13 grupe kriminale përgjatë kufirit që kanë lidhje me krimin e organizuar në Meksikë por nuk dhanë detaje në lidhje me këtë skemë.
Arturo Torresh një gazetar vendas me përvojë të gjerë që mbulon kronikën në Ekuador thekson se kjo nuk është asgjë e re.
“Hetimet e policisë nuk kanë demonstruar përfundimisht se si funksionojnë marrëdhëniet mes bandave në Ekuador dhe karteleve meksikane” tha Torres, duke shtuar se policia është fokusuar aq shumë në konfiskimet e drogës, saqë hetimet afatgjata për zbërthimin e bandave duket se kanë mbetur mbrapa.
Lidhjet ndërkombëtare shtrihen përtej Meksikës. Krimi i organizuar shqiptar ka lënë gjurmët e tij në situatën e krijuar në Ekuador ashtu si trafikantët e drogës nga vendet e tjera të Ballkanit, si Serbia, Mali i Zi dhe Kosova. Ndrangheta italiane ka prezencën e saj për shkak se monitoron dërgesat kundër konfiskimeve në Guayaquil, edhe pse ndoshta në një masë më të vogël se lidhjet në portin e Santos në Brazil.
Disa ekspertë thonë se kjo nuk është e re. “Dhuna në Ekuador nuk është e padëgjuar. Kemi pasur një kulm të kësaj situate në fillim të viteve 2000 kur kishte një shkallë të gjerë vrasjesh. Në atë kohë ne folëm për disa banda që operonin në qytete të ndryshme”, shprehet Carla Álvarez, një eksperte për krimin dhe sigurinë në Institutin për Studime të Larta Kombëtare (IAEN) në Ekuador./Abcnews.al