Mediat kroate nxjerr foton e shkencëtares që humbi jetën në Majën e Jezercës

02 prill 2024 | 20:40

Željka Lončarić është gruaja nga Kroacia që ka humbur jetën tre ditë më parë teksa ngjiste Majën e Jezercës në Shqipëri, shkruan newsbomb.al. Mediat në vendin e saj kanë publikuar fotografinë e saj dhe kanë zbuluar identitetin, teksa evidentojnë se ajo është një shkencëtare.

53 vjeçarja punonte në Departamentin e Biologjisë të Universitetit “Josip Juraj Strossmayer” në Osijek dhe kolegët kanë shkruar mesazhe ngushëllimi profilin e saj.

Mediat kroate shkruajnë se Željka Lončarić ishte e apasionuar pas eksplorimit të bukurive natyrore dhe shpesh bënte ngjitje në maja malesh, jo vetëm në vendin e saj. Ajo studioi në Osijek, në të njëjtin fakultet ku më vonë dhe u punësua.

Pas marrjes së diplomës së profesoreshës së biologjisë dhe kimisë, ajo vazhdoi shkollimin ndërdisiplinor pasuniversitar për Mbrojtjen e Natyrës dhe Mjedisit. Željka Lončarić kishte marrë titullin Doktor i Shkencave në fushën e shkencave natyrore, atë të biologjisë dhe degën e biologjisë së përgjithshme, përcjell newsbomb.al.

53 vjeçarja kishte ndjekur një sërë edukimesh, ndër të tjera në Paris, Cyrih, Talin dhe Las Majadas në Spanjë.

Željka Lončarić ishte duke ngjitur një terren shkëmbor të shtunën që kaloi bashkë me shtatë alpinistë të tjerë, katër kroatë dhe tre serbë, kur është rrëzuar aksidentalisht nga një lartësi e konsiderueshme dhe për pasojë ka gjetur vdekjen.

Një helikopter, efektivë të Policisë së Shtetit dhe ekipi i Shërbimit Malor të Kosovës ju përgjigjën menjëherë apelit për ndihmë, por fatkeqësisht Željka Lončarić kishte ndërruar jetë si pasojë e plagëve të shumta. Shtatë aplinistët e tjerë që kishin mbetur të bllokuar u shpëtuan.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Çfarë ndodhi me projektin e shumëpërfolur të Nazif Destanit? Si…