Mediat ndërkombëtare raportojnë për marrëveshjen Kosovë-Serbi
Pas bllokimit që nga 20 shtatori, rrugët kryesore në veriun e Kosovës, që çojnë në vendkalimet kufitare me Serbinë, në Jarinjë dhe Bërnjak, u rihapën të shtunën për lëvizjen e makinave.
Arritja e marrëveshjes së ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian u raportua në shumicën e mediave të njohura ndërkombëtare.
Vlen për t’u theksuar se në shumicën e mediave theksi ishte vënë te pengesat që kanë shkaktuar barrikadat e vendosura nga serbët, përcjell Telegrafi.
“Serbët heqin pengesat rrugore në Kosovë ndërsa, NATO lëviz për t’iu dhënë fund tensioneve”, ishte titulli i agjencisë Reuters.
“Kalimi kufitar i Kosovës me Serbinë u rihap të shtunën derisa serbët hoqën kamionët, ndërkohë trupat e NATO-s u zhvendosën në veri në kuadër të marrëveshjes së ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian për t’i dhënë fund një mosmarrëveshjeje midis vendeve fqinje për targat e makinave”, raporton tutje Reuters.
Agjencia franceze e lajmeve “Euronews” ka shkruar për zbatimin e marrëveshjes për targat që u arrit në Bruksel.
“Misioni i KFOR-it i drejtuar nga NATO mori të shtunën zonën pranë dy vendkalimeve kufitare Kosovë-Serbi pas një marrëveshjeje të arritur nga të dy vendet që synonte uljen e tensioneve të shkaktuar nga një mosmarrëveshje mbi targat e automjeteve”, shkruhet në artikullin e Euronews.
“Çmontohen barrikadat në kufirin Kosovë-Serbi”, shkruan mediumi shtetërorë francez France 24.
“Kosova dhe Serbia bien dakord për t’iu dhënë fund tensioneve kufitare”, ka shkruar mediumi Al Jazeera.
Zgjidhja e negociuar në Bruksel i jep fund armiqësive të shkaktuara nga mosmarrëveshja rreth targave të makinave, shkruan tutje Al Jazeera.
Serbia, e mbështetur nga aleatët e saj Rusia dhe Kina, nuk e njeh shtetin e Kosovës, por shumica e vendeve perëndimore, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara e kanë njohur atë, raporton mediumi nga Katari.
“Kosova dhe Serbia lirojnë pikat e bllokuara kufitare”, njofton agjencia gjermane e lajmeve Frankfurter Allgemeine Zeitung.
“Serbia dhe Kosova kanë rihapur kalimet e bllokuara kufitare pas zgjidhjes së mosmarrëveshjes lidhur me targat. Makinat dhe kamionët që kishin bllokuar rrugët për në kufi prej ditësh u larguan”, njofton FAZ.
Kosova dhe Serbia u morën vesh të enjten për të ulur tensionet në veriun e Kosovës, që pasuan vendimin e qeverisë në Prishtinë, për të vendosur masën e reciprocitetit për përdorimin e targave të makinave.
Sipas marrëveshjes trepikëshe, të shtunën me 2 tetor njëkohësisht u bë largimi i barrikadave dhe i njësive të Policisë Speciale nga vendkalimet kufitare në veriun e banuar me shumicë serbe. Forcat paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja do të sigurojnë vendkalimet kufitare për dy javë./