Mediat në Shqipëri: Tre anëtarë të familjes Haliti nga Gjilani dyshohet se vdiqën pas helmimit me këpurdha
Tre anëtarë të një familje nga Gjilani ndërruan jetë në Shqipëri për shkak të helmimit nga ushqimi. Dy ndërruan jetë dje dhe i treti sot.
Viktimat janë Elfete, Afrim dhe Ferzinaze Haliti. Gazetari i ABC në Durrës Leonidha Musai raporton se familja nga Kosova kishte ardhur në Gjirin e Lalzit dhe po qëndronin në shtëpinë e tyre me pushime prej disa ditësh.
Shkak i vdekjes dyshohet se kanë qenë kërpudhat, që po sipas të dhënave të para dyshohet se i kishin mbledhur në pyll dhe i kishin konsumuar në shtëpinë e tyre.
Pas problemeve të para shëndetësore tre anëtarët e familjes Elfete, Afrim dhe Ferzinaze Haliti shkuan në qendrën shëndetësore Manëz për mjekim dhe më pas ishin kthyer në banesë, por gjendja u agravua dhe fatkeqësisht ndërruan jetë.
Janë proceduar në gjendje të lirë dy mjekët që i kanë pritur për t’u dhënë ndihmën e parë me akuzën e mjekimit të pakujdesshëm.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve në Stacionin e Policisë Manëz, kanë proceduar penalisht për veprën penale “Mjekim i pakujdesshëm”, shtetasit Sh. B., 54 vjeç dhe J. K., 60 vjeç, banues në Durrës, me detyrë mjek në qendrën shëndetësore Manëz, pasi si pasojë e përkeqësimit të shëndetit kanë ndërruar jetë shtetasit kosovarë E. H., 78 vjeçe, A. H., 56 vjeç dhe F. H., 57 vjeçe (familjarë), të cilët nga hetimet paraprake dyshohet se këta shtetas kanë mbledhur kërpudha dhe pasi i kanë konsumuar në banesën e tyre në Gjirin e Lalëzit janë helmuar. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme” njofton policia e Durrësit.Abcnews.