Mediat serbe: Radomir Laban i kërkuar nga INTERPOL-i, në Prishtinë u zgjodh gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese
Deputetët e Kuvendit të Kosovës të premten votuan që Radomir Laban të emërohet gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese, e për të cilin Gjykata Themelore në Kralevë ka konfirmuar se është në listën e të kërkuarve nga INTERPOLI, sepse Serbia e kërkon atë që të mbajë dënimin me burg.
Siç raporton Insajder, gjykatësi i sapozgjedhur i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës nga komuniteti serb, Radomir Laban, sipas Gjykatës Themelore në Kralevë, e cila është përgjegjëse për zbatimin e aktvendimeve, është shpallur fajtor për marrje të ryshfetit dhe është dënuar me burgim prej gjashtë vitesh, por që atij i është llogaritur koha e kaluar në paraburgim për një periudhë prej dy vjet e katër muaj.
“Për arsye të mos përgjigjes të dënuarit Radomir Labanin në thirrjen për të mbajtur dënimin me burg në Burgun e Nishit, sipas njoftimit të Departamentit të Policisë në Kralevë se i njëjti gjendet në territorin e Kosovës, është lëshuar urdhri i Gjykatës Themelore në Kralevë i dt. 06.02.2013 për shpalljen e fletarrestit qendror. Pas grumbullimit të dokumentacionit të nevojshëm, kjo gjykatë ka iniciuar te Ministria e Drejtësisë dhe Administratës Publike procedurë për lëshimin e një urdhër-arrestit ndërkombëtar, prandaj me dokumentin e datës 03.02. 2014 ministria e përmendur e informoi gjykatën se INTERPOL-i në Beograd ka dhënë miratimin për lëshimin e një urdhër-arresti ndërkombëtar për Radomir Labanin”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës Themelore në Kralevë, përcjell Telegrafi.
Siç njofton portali serb, në Gjykatë thonë se më 13.11.2017 i janë drejtuar EULEX-it në Prishtinë me një kërkesë që Radomir Laban, të sillet në kufirin administrativ dhe t’i dorëzohet policisë së Serbisë.
Përveç kësaj, gjykata nëpërmjet Ministrisë së Drejtësisë i ka dërguar lutje Zyrës së Përfaqësuesit të BE-së në Prishtinë, me një kërkesë për të marrë masa brenda juridiksionit të saj që Radomir Laban të arrestohet, në mënyrë që të dërgohet në vuajtje të dënimit me burg.
Laban është njëri nga 21 të dënuarit në kuadër të procesit gjyqësor ndaj të ashtuquajturës mafia e doganave, që u zhvillua në Gjykatën Speciale për krim të organizuar në Beograd.
Arrestimet në lidhje me këtë aktakuzë filluan në vitin 2006, kurse Gjykata Speciale për Krimin e Organizuar, në vitin 2011 nxori aktgjykim, sipas të cilit grupi është dënuar sipas aktakuzës se kanë përfituar shuma shumëmilionëshe në mënyrë të kundërligjshme përmes kontrabandës së mallrave, duke përfshirë cigaret, alkoolin, pajisje shtëpiake dhe mallrave të tekstilit.
Radomir Laban u gjykua si punonjës i Departamentit të Inteligjencës në Drejtorinë e Doganave, dhe përveç dënimit me burgim i është shqiptuar edhe ndalesa për të kryer aktivitetet dhe detyrat në të gjitha organet dhe në të gjitha vendet e punës në Drejtorinë e Doganave të Serbisë për një periudhë prej dhjetë vjetësh.
Edhe pse ky ndalim është ende në fuqi, si dhe kërkesa për të shkuar në vuajtje të dënimit me burg, ai në Prishtinë zgjedhur gjyqtar i gjykatës më të lartë.
Ndaj, vendimit të Kuvendit për ta zgjedhur Radomir Labanin gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese ka pasur reagime edhe nga organizata dhe parti politike në Kosovë.
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut ka kërkuar nga presidenti Hashim Thaçi të mos e dekretojë gjyqtarin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Radomir Laban, i votuar ditë më parë nga Kuvendi i Kosovës pa përfunduar verifikimi për të.
Edhe Lëvizja Vetëvendosje i ka dërguar letër zyrës së Presidentit të vendit, përmes së cilës i ka kërkuar të mos e emërojë si gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese, Radomir Labanin, pasi i njëjti ishte dënuar si pjesë e një grupi kriminal./Telegrafi/