Mediat serbe zbulojnë organizatorët dhe vrasësin e Oliver Ivanoviqit

29 mars 2022 | 12:28

Media serbe N1, duke u bazuar në informatat e organizatës KRIK (Rrjeti i Raportimit të Krimit dhe Korrupsioni) në Serbi ka raportuar se Oliver Ivanoviqi është vrarë me urdhër të Zvonko Veselinoviqit i mbështetur nga nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radojiçiq, të dy këta në listën e të sanksionuarve nga Departamenti amerikan i Thesarit.

Boban Bogdanoviq mik i kriminelit të vrarë Aleksandar Gligorijeviq Puki, anëtar i klanit të Veljko Belivuk, i ka thënë organizatës KRIK (Rrjeti i Raportimit të Krimit dhe Korrupsioni) në Serbi se Oliver Ivanoviqi politikani nga Mitrovica e Veriut është vrarë nga Ljubomir Lainoviq nga Novi Sadi dhe vrasja është urdhëruar nga biznesmeni Zvonko Veselinoviq, shkruan N1.

Bogdanoviq i ka thënë KRIK-ut se shoku i tij, Aleksandar Gligorijeviq i ka treguar atij të vërtetën për vrasjen e politikanit serb Oliver Ivanoviq.

Sipas Bogdanoviqit, më 7 mars 2020 në një ndeshje sportive, Gligorijeviq i ka treguar se kush kanë qenë organizatorët dhe kush është vrasësi i Ivanoviqit.

Sipas tij, Oliver Ivanoviq është vrarë nga Ljubomir Lainoviq, i biri i njërit nga njerëzit më të rrezikshëm në Novi Sad, Branislav Lainoviq Dugi.

“Ai e ka kryer atë vrasje. Njeriu që e ka organizuar arritjen e tij në Kosovë që e ka përgatitur logjistikën e vrasjes së Ivanoviqit është Milan Radoiçiç, ndërsa personi që e ka organizuar vrasjen është Zvonko Veselinoviq. Kjo është çfarë më ka thënë Aleksandar Gligorijeviq”, ka thënë Bogdanoviq për KRIK.

Sipas tij, për ta kryer vrasjen e Ivanoviqit janë dhënë 50 mijë euro nga Veljko Belivuk për Branislav Lainoviq.

Aleksandar Gligorijevic Puki u vra në vitin 2020 nga duart e ish-bashkëpunëtorëve të tij – ai u vra nga Belivuk dhe anëtarët e klanit në një shtëpi në Ritopek, dhe trupi i tij ishte therur dhe fjala “tradhti” i ishte gdhendur në shpinë sepse e morën vesh që ai u kthye kundër tyre, kujton KRIK.

Bogdanoviç foli gjithashtu për KRIK për lidhjet e Gligorijeviç me Partinë Progresive Serbe të Aleksander Vuçiqit dhe detaje të tjera nga krimi dhe sporti.

Oliver Ivanoviq është vrarë në janar të vitit 2018 para zyrës së tij në Mitrovicën e Veriut.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Mesfushori nga Kosova, Granit Xhaka, do ta zhvillojë sonte ndeshjen…