Mediat spanjolle: Spanja do të votojë kundër pranimit të Kosovës në KiE
Përfaqësues të PSOE, partisë socialiste në Spanjë pjesë e së cilës është edhe kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez, dhe ata të PP-së, pritet që të votojnë kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, gjatë seancës që do të mbahet të martën. Kështu raporton agjencia e lajmeve “Europe Press”.
Pesë anëtarët socialistë dhe tre nga PP-ja, do ta refuzojnë anëtarësimin e Kosovës, pavarësinë e së cilës nuk e njohin, sipas burimit të këtij mediumi, për të cilin thonë se është nga partia e Sanchez.
“Do të votojmë kundër sepse vazhdojmë të kemi kriteret e njëjta.” – ka thënë ky burim, duke vazhduar se kjo nuk është koha për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës pasi që mund të nxis “hapësira konfrontimi”.
Njëjtë, Spanja do të votojë kundër anëatësimit të Kosovës edhe në Komitetin e Ministrave. Burime diplomatike i kanë thënë mediumit se “Qeveria vazhdon të mbajë pozicionin e mosnjohjes”, duke implikuar që kur të vijë koha, Ministri i Punëve të Jashtme, Jose Manuel Albares do ta refuzojë anëtarësimin e Kosovës.
Ndërkohë, debati për Kosovën pritet të mbahet të martën, kjo pas rekomandimit të raportueses Dora Bakojanis për anëtarësimin e Kosovës.