Mediat turke: Muriqi priste ftesën e Turqisë, por s’mori përgjigje
Gjatë kohës sa Vedat Muriqi ishte pjesë e Giresusporit, kishte shprehur dëshirën që të luajë për Kombëtaren e Turqisë, por kërkesa e tij u la pa përgjigje nga atëbotë përzgjedhësi Fatih Terim.
Kështu kanë raportuar të premten gjatë ditës disa mediume në Turqi.
Muriqi në shkurt të vitit 2015 e fitoi nënshtetësinë turke dhe kërkesa e tij ishte që të luajë për Turqinë.
Ekipi kombëtar i futbollit i Kosovës ishte formuar rishtazi dhe në atë kohë nuk kishte të drejtë të luante në gara ndërkombëtare dhe për ta përfaqësuar Turqinë, kërkoi ndihmën e ekipit të tij.
Kërkesa e tij u përcoll te Fatih Terimi, por nuk mori përgjigje për një kohë të gjatë.
Sipas mediumeve turke, pasi Terim nuk i kishte kthyer përgjigje, Muriqi nuk priti dhe pranoi të luante për Kosovën.
Sot është bërë lojtar i rëndësishëm te Kosova dhe falë paraqitjeve të mira me “Dardanët” dhe Fenerbahçen është bërë një nga lojtarët më të kërkuar nga klube të ndryshme evropiane.
Nga viti 2016 25-vjeçari për Kosovën ka luajtur 23 ndeshje dhe ka shënuar tetë gola dhe tri asistime.