Mediet amerikane: Trumpi e ka diskutuar mundësinë e blerjes së Grenlandës
Mediat amerikane janë duke raportuar se presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA), Donald Trump, ka diskutuar me ndihmësit e tij, mundësinë e blerjes së Grenlandës nga Danimarka, megjithëse disa ndihmës të Shtëpisë së Bardhë thonë se biseda nuk ishte serioze.
“Wall Street Journal” më 15 gusht ka raportuar se Trumpi “ka shprehur vazhdimisht interes” për blerjen e Grenlandës, një territor autonom danez.
“Trumpi ka pyetur këshilltarët nëse ShBA-ja mund të përvetësoj Grenlandën, e vlerësuar si territor me interes për burimet e saja të shumta dhe rëndësinë gjeopolitike dhe, sipas dy burimeve, Trump ka kërkuar nga këshilltarët e Shtëpisë së Bardhë që të shqyrtojnë idenë”, ka raportuar “WSJ”.
Raporti, duke përmendur burime pa emër, ka thënë se disa nga këshilltarët e Trump e kanë mbështetur idenë si një veprim të mirë ekonomik, ndërsa “të tjerët e hodhën poshtë atë”.
Grenlanda ka një popullsi prej rreth 56 000 njerëz dhe është një pjesë vetë-qeverisëse e Danimarkës. Pushteti vendor merret me punët e brendshme, por politikat e jashtme dhe ato të sigurisë trajtohen në Kopenhagë.
Shtetet e Bashkuara kanë tashmë një bazë masive ushtarake në Grenlandë.
Zyrtarët amerikanë ose danezë nuk e komentuan menjëherë raportet.
Në vitin 1946, Shtetet e Bashkuara i janë ofruar të blinin ishullin gjigant nga Danimarka për 100 milion dollarë, por marrëveshja është refuzuar.